Nga kontrolli i banesës së shtetasit Ragip Gila në vitin 2023 janë gjetur 7 (shtatë) jelekë antiplumb të ngjyrave të ndryshme; 13 pako me ngjyrë dhe aromë si ato të Cannabis Sativa-s; një kavanoz qelqi me material bimor të dyshuar Cannabis Sativa; një qese blu me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa; një qese transparente me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa; dy palë doreza të zeza; dy maska të zeza; një maskë silikoni; dy paruke, një gri e një kafe; një skafandër ngjyrë e zezë; 4 fishekë 9 mm; një çifte 598884; një brez me 32 fishekë kalibër 12 mm; një pincetë e ambalazhuar.
Po ashtu gjatë hetimeve, ai është vënë nën përgjim ambiental në bisedë me të vëllain:
Ragip Gila: Ti mos fol gjë mor njish, rri i qetë, unë nuk kam lidhje me vëllanë, jam në vete unë mor vlla! A ndin mor?
Ergys Gila: Po mor po, njashtu i thashë.
Ragip Gila: Kur të dalësh, ruaji fëmijët, mos i ço në shkollë një herë. Nuk të mbajnë ty, ti rri i qetë. Nuk ke punë ti! Ja pava sherrin Erit, ty edhe atij. Ti rri i qetë, mos ha provokime hiq!
Ç’a ke hall ti!? Ti me pas njetmendje vlla, mos me ba gabime hiq!
Xero, xero, xero! A more vesh?
Ergysi: Po, mor shyqyr burr, që nuk kanë gjet atë!
Ragip Gila: Qyyyyshtttt! Kanë hy edhe në bodrum. Mos e rruj hiq, e heka makinën!
Njita janë në internet… sido me qenë, njito janë në internet, por asht halli i hashashit.
Ka 20 paketa çokollata! Njëzet paketa çokollata…!
Ti rri i qetë!
Ergysi: Po për çifte, ç’a të thanë?
Ragipi: A more vesh, hiq, xero me mu, nuk ke punë, jam në shtëpi në vete!
Ergysi: Pa çfarë rreziku që s’e zunë atë t’tëmen.
Ergysi: Pa pas pula me ba ish…
Ragipi: Rri i qetë, pa hangër nuk ju lënë!
Ergysi: Jam tuj vra veten mor shok!
Ragipi: Pse mor me vra veten, nuk ke shans mor, lëni marrëzitë!?
Mos u bëj i marrë! Ke katër fëmijë shëndet, kaq!
Ti me ndejt urtë, në punët tënde, njaty te shpija e…
Ergysi: Ti në telefon nuk ke pas gjë!?
Ragipi: Ja mor nuk kam pas gjë, s’kam fol gjë. Shyqyr që e shina do foto.
Pistoletat e CC-së deshti me e gjet ai bossi! Thashë, tesh pa e gjen!!
E heka se e pata me vete! Dy minuta pa ardhë ju, dy minuta robt!
Mas dy minutash më kishin zanë njaty robt!
Ma gjetën kutinë e më thanë ku e ke? Eeee ku e kam?!
Nuk kam gjë i thashë!
Tesh pa më nxjerrin punë për çifte! A kupton!?
Njëzet çokollata! Abababa…
Ragipi: Kam hallin e çiftes. Në qoftë se asht me leje, del.
Po ajo, ai më ka lanë maskat aty mor!
Puaaaaaaaaaa! Ç’a ju pava sherrin ty e atij!
Për antiplumat blihen në internet, por baj burg për hashash e çokollata robt e motrat!
Yyyyy, njëzet paketa mor! Obobobobobobo! Edhe për çifte!
Vendimi i gjykatesit Albert Keraj per lirimin nga burgu te autorit:
Rrethanat rënduese:
Në lidhje me këtë element, gjykata konstaton se në rastin konkret nuk ekzistojnë rrethana rënduese të parashikuara nga neni 50 i KP.
Rrethanat lehtësuese:
Për sa i përket ekzistencës së rrethanave lehtësuese, gjykata vëren se në rastin konkret, në kuptim të neneve 48 dhe 49 të KP, ekzistojnë disa rrethana lehtësuese:
• i pandehuri ka shfaqur pendesë dhe ka pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale para gjykatës;
• i pandehuri nuk rezulton të jetë recidivist;
• i pandehuri është beqar dhe kujdeset për familjarët e sëmurë (babain, vëllain);
• i pandehuri është në një moshë relativisht të re.
Gjykata thekson se kjo masë dënimi është e përshtatshme për të pandehurin Gila, në përputhje me veçoritë e tij dhe të veprës penale konkrete, si dhe me rrethanat në të cilat vepra penale është kryer. Ndër të tjera, përcaktuese për caktimin e dënimit prej 5 vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 283/1 i KP, pra në minimumin që parashikon dispozita penale, është personaliteti i të pandehurit, gjendja e tij familjare/ekonomike, si dhe fakti që është i padënuar më parë (pra, rezulton se rasti për të cilin procedohet është një rast i izoluar).
Këto rrethana peshojnë fort për të mos caktuar për të pandehurin Gila një dënim më të rëndë se minimumi i parashikuar nga ligji.
Nëpërmjet dënimit penal të caktuar ndaj të pandehurit synohet ruajtja e një raporti të drejtë mes ndëshkimit të fajtorit dhe mbrojtjes së shoqërisë. Gjithashtu, gjykata në caktimin e një mase të tillë dënimi ndaj të pandehurit mban parasysh edhe parimin se ashpërsia e një penaliteti për një vepër penale të kryer duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale me ashpërsinë e veprës penale.
Në zbatim të nenit 406, pika 1 të KPP, dënimi i vetëm me burgim prej 5 (pesë) vjet ulet me 1/3 e tij, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Gila me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Ky është një përfitim ligjor për të pandehurin, që vjen si rezultat i procedimit me gjykim të shkurtuar, konform neneve 405 e 406 të KPP, sipas kërkesës së vetë të pandehurit.
Mbrojtja kërkoi aplikimin e dënimit alternativ sipas nenit 59 të KP.
Gjykata e pranon këtë kërkesë si të mbështetur në prova e ligj. Në nenin 59 të KP, titulluar “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, parashikohet shprehimisht se:
“Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.”
Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se kjo alternativë e dënimit me burgim zbatohet nga gjykata kur plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte:
(i) në përfundim të shqyrtimit gjyqësor çmohet nga gjykata se i pandehuri duhet të dënohet jo më shumë se pesë vjet burgim;
(ii) gjatë shqyrtimit gjyqësor rezulton se ekziston një nga rrethanat në vijim: i pandehuri paraqet rrezikshmëri të pakët shoqërore; i pandehuri është i mitur apo i moshuar; i pandehuri ka kushte mendore apo shëndetësore të veçanta; i pandehuri ka detyrime për punën, arsimimin, kualifikimin ose aftësimin profesional; i pandehuri ka përgjegjësi thelbësore për familje; i pandehuri e ka kryer veprën penale në kushtet e disa rrethanave lehtësuese; i pandehuri ka pasur një sjellje shumë të mirë pas kryerjes së veprës penale.
Nga formulimi i nenit 59 të KP rezulton se këto rrethana janë të pavarura nga njëra-tjetra.
Në rastin konkret, gjykata vlerëson se i pandehuri Gila i plotëson kushtet për pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien e tij në provë. I pandehuri u dënua me burgim me një masë dënimi më pak se 5 (pesë) vjet, gjegjësisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Ky kriter formalo-juridik plotësohet. Për më tepër, nisur nga personaliteti i të pandehurit, gjendja dhe nevojat e tij familjare/ekonomike, si dhe fakti që është i padënuar më parë (pra, rezulton se rasti për të cilin procedohet është një rast i izoluar), konkludohet se është e mundur që të zbatohet alternativa e dënimit me burgim e parashikuar nga neni 59 i KP.
Në këtë kuadër, për të vërtetuar nevojat e jetës familjare dhe gjendjes shëndetësore të anëtarëve të familjes së të pandehurit, u paraqitën:
• epikrizë e pacientit Jonuz Gila (babai i të pandehurit Gila, që janë pjesë e të njëjtës familje sipas akteve të gjendjes civile të administruara në dosje dhe që jetojnë bashkë në një banesë) lëshuar nga dr. Hava Bushati, Qendra Shëndetësore nr. 3; sipas epikrizës, referuar kartelës shëndetësore nr. 688 lëshuar nga dr. Hava Bushati, Jonuz Gila vuan nga sëmundje kronike (HTA st II, Diabet Mellitus, Post aksident Cerebro-Vaskular, Hemiplegji dextra) dhe kurohet qysh prej vitit 2017; pacienti Jonuz Gila lëviz me karrocë me rrota, qëndron në regjim shtrati dhe gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar;
• vërtetim i Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Verbërisë, datë 03.04.2009; ky akt përcakton se me vendimin nr. 10789, datë 03.04.2009, personit të quajtur Ermison Gila i jepet përfitim sipas statusit të të verbërit, grup i dytë, me afat rikontrolli prill 2010; bashkëlidhur fotokopje e kartelës.
Këto rrethana që lidhen me nevoja të veçanta të jetës së të pandehurit Gila, pra nevoja për kujdesin ndaj babait dhe vëllait të sëmurë, justifikojnë këtë zgjidhje gjyqësore për të pandehurin: dënimi penal me burgim për të është e arsyeshme të pezullohet dhe i pandehuri të vihet në provë. Kjo, edhe në respekt të parimit të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe bazuar në parimin e humanizmit që duhet të karakterizojë procesin penal nga fillimi deri në caktimin e dënimit përfundimtar për një person që deklarohet fajtor për kryerjen e një vepre penale, të përcaktuara në nenin 1/c të KP.
Sa më sipër, konform nenit 59, pika 3 të KP, ekzekutimi i vendimit të dënimit me burg për të pandehurin pezullohet dhe i pandehuri Gila vihet në provë për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjet. Gjatë kohës së provës ai nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale.
Në zbatim të nenit 60, pikat 9 dhe 10 të KP, urdhërohet i pandehuri Gila të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Gjithashtu, gjatë kohës së provës, i pandehuri të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër.




