FLASH :

Momenti tronditës kur shoferi me Porsche të vjedhur vret 2-vjeçarin dhe ikën me vrap, ndërsa nëna e tij mbetet në koma dhe nuk e di ende që i biri ka vdekur

Një shofer i “pamëshirshëm dhe frikacak” duke ngarë me shpejtësi një makinë të vjedhur përplaset kokë më kokë me një tjetër automjet, duke vrarë një djalë 2-vjeç dhe duke lënë në koma nënën e tij, përpara se të largohej me vrap nga vendi i ngjarjes.

Sharjeel Shahzad, 30 vjeç, i cili ishte tashmë i ndaluar të drejtonte automjet dhe ishte në pritje të një gjyqi për drejtim të rrezikshëm, shkaktoi vdekjen e vogëlushit Shehbaz Singh në një Porsche Cayenne.

Ai plagosi rëndë edhe dy pasagjerë të tjerë në makinë, ndërsa nëna e Shehbaz, Kushpreet Kaur, nuk është zgjuar ende nga koma dhe nuk e di se djali i saj ka vdekur.

Aksidenti ndodhi në Smethwick, në West Midlands, pak para orës 23:00 më 14 dhjetor të vitit të kaluar, dhe u regjistrua nga kamerat e sigurisë. Pamjet tregojnë se si Shahzad humbi kontrollin e makinës ndërsa po kthente në një kthesë.

Vetëm pak sekonda më vonë ai del nga makina dhe ikën me vrap, pa hedhur as edhe një vështrim drejt makinës tjetër.

Gjykata e Kurorës në Wolverhampton u njoh me faktin se Shahzad, banor i Cooksey Lane, Great Barr, kishte arritur shpejtësi deri në 80 km/h dhe parakaloi një makinë në një kthesë të verbër në Dartmouth Road.

Kur hyri në kthesë, humbi kontrollin e Porsche-s me fuqi të lartë, që mbante targa të rreme.

Ai devijoi në korsinë e kundërt dhe u përplas me një Toyota Auris që drejtohej nga Baljeet Singh, i cili ndodhej në makinë me gruan, kunatin, kunatën dhe nipin e tij 2-vjeçar, Shehbaz.

Në makinë ndodheshin gjithashtu Amritpal Singh, Kushpreet Kaur dhe djali i tyre i vogël, Shehbaz Singh.

Shehbaz, i cili nuk ishte i lidhur me rrip sigurimi në pjesën e pasme të makinës, u shpall i vdekur në vendngjarje, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar në vend dhe më pas në Spitalin e Fëmijëve në Birmingham.

Znj. Kaur pësoi dëmtime të rënda në tru dhe vazhdon të jetë në spital. Asaj nuk i është treguar ende se djali i saj ka ndërruar jetë.

Gjykata u njoh gjithashtu me faktin se Shahzad pritej të dilte para gjykatës më 23 dhjetor për një ndjekje të mëparshme nga policia më 10 qershor, kur kishte ngarë një Audi të vjedhur për 30 milje në 19 minuta, duke arritur deri në 240 km/h në përpjekje për t’u shpëtuar policisë.

Ai u ndal vetëm pasi policia e përplasi makinën, por sërish u përpoq të ikte dhe u arrestua.

Ai ishte arrestuar edhe një ditë më parë, më 9 qershor, për një incident të ngjashëm, por ai rast nuk u çua më tej.

Në tetor 2024, Shahzad ishte ndaluar të drejtonte automjet për 6 muaj, pavarësisht se kishte vetëm leje të përkohshme drejtimi, për drejtim pa kujdes të mjaftueshëm.

Duke e dënuar me 15 vjet e 4 muaj burg për vrasjen e Shehbaz Singh përmes drejtimit të rrezikshëm, gjyqtari Jonathan Gosling tha se pasojat e përplasjes ishin “katastrofike”.

Ai deklaroi: “Ju shkatërruat jetën e Amritpal Singh dhe Kushpreet Kaur dhe rrënuat familjen dhe miqtë e tyre. Ju vratë atë djalë të vogël.”

Gjyqtari tha se karakteri i vërtetë i Shahzad u tregua nga fakti që ai iku nga vendi i ngjarjes pa asnjë kujdes për dëmet e shkaktuara.

Ai shtoi: “Ju nuk jeni thjesht një njeri i rrezikshëm, por edhe i pamëshirshëm dhe frikacak.”

Shahzad u dënua gjithashtu me:

  • 15 muaj burg për drejtim të rrezikshëm më 10 qershor,
  • 3 vite për secilin nga dy akuzat për shkaktim plagësh të rënda me drejtim të rrezikshëm,
  • 4 muaj për drejtim gjatë kohës që ishte i ndaluar.

Të gjitha këto dënime do të kryhen njëkohësisht me dënimin kryesor.

Megjithëse nuk kishte prova që ai kishte vjedhur vetë Porsche-n, makina kishte targa të rreme mbi të cilat u gjetën gjurmët e gishtave të tij.

Gjyqtari Gosling tha se Shahzad e kishte “neglizhuar plotësisht pasojën” e veprimeve të tij kur iku nga vendi i ngjarjes, duke shtuar: “Interesi i vetëm i tij ishte të zhdukej. U arrestua dy ditë më pas dhe mohoi të ishte në makinë në atë moment.”

Ai pretendoi se ishte detyruar të ngiste në këtë mënyrë nga disa persona që i kishte frikë. Por gjyqtari tha: “Askush nuk e detyroi të drejtonte në atë mënyrë. Ai iku nga makina duke ditur që kishte shkaktuar të paktën dëmtime shumë të rënda.”

Avokati mbrojtës, Nicholas Berry, tha në gjykatë se jeta e Shahzad kishte “dalë jashtë kontrollit në mënyrën më të pakujdesshme”, pasi lidhja e tij afatgjatë kishte përfunduar dhe kishte humbur vendin e punës.

Ai kishte dërguar një letër për gjyqtarin ku shprehte keqardhje për atë që kishte ndodhur.

Ai e pranoi fajësinë në gjyqin e mbajtur më 11 prill.

Shahzad, i cili qëndronte në bankën e të pandehurve me një tuta gri dhe pa shfaqur asnjë emocion, u vendos nën një periudhë të zgjatur mbikëqyrjeje trevjeçare dhe u ndalua të drejtonte për 8 vjet pas lirimit.

Ai do të duhet gjithashtu të japë një test të zgjeruar përpara se t’i lejohet sërish drejtimi i automjeteve.

Gjyqtari përgëzoi dy persona që u përpoqën të ndihmonin pasagjerët e Toyota-s dhe i bënë thirrje Shahzad që të ndalej ndërsa ikte, duke i shpërblyer me nga 500 paund secilin.

Në një deklaratë prekëse në faqen GoFundMe për të mbledhur para për funeralin e Shehbaz-it, vëllai i Baljeet Singh shkroi:

“Vëllai im dhe gruaja e tij janë njerëzit më të mirë që mund të takosh. Gjithmonë kanë vënë të tjerët përpara vetes dhe janë të përkushtuar për t’i dhënë një jetë më të mirë djalit të tyre 2-vjeçar.

Tani, për një çast, familja është shkatërruar nga vdekja e Shehbaz-it.

Nëna e tij, Khushpreet, është ende në kujdes intensiv. Ajo është aq e sëmurë sa nuk e di ende për vdekjen e Shehbaz-it.

Vetëm pak ditë më parë festuam ditëlindjen e dytë të Shehbaz-it – dhe tani duhet të planifikojmë funeralin e tij.

Nuk e dimë ende nëse nëna e tij do të jetë në gjendje të marrë pjesë në varrim pasi vazhdon të jetë në koma.”

Detektivi sergeant Paul Hughes nga Njësia e Hetimit të Aksidenteve të Rënda tha:

“Shehbaz humbi jetën vetëm 2 vjeç, si pasojë e drejtimit të papërgjegjshëm dhe egoist të Shahzad.

Duke ditur që kishte shkaktuar një përplasje të rëndë, Shahzad nuk qëndroi për të ndihmuar, por iku.

Megjithatë, falë analizës së ADN-së dhe pamjeve nga CCTV, e identifikuam shpejt si drejtuesin e makinës.

Tani ai do të përballet me shumë vite pas hekurave, gjë që shpresojmë se do t’i japë pak drejtësi familjes së Shehbaz-it.”