FLASH :

Momenti shokues kur shpërthen sherri mes grave në Karnavalet për fëmijë

Një video e publikuar në TikTok ka tronditur pjesëmarrësit e Karnevalit të Notting Hill në Londrën Perëndimore, gjatë ditës së familjeve dhe fëmijëve. Në klip shihen dy gra të reja teksa godasin njëra-tjetrën, tërheqin flokët dhe shkëmbejnë grushte në mes të turmës, ndërsa miq të tyre përpiqen t’i ndajnë dhe muzika e karnevalit dëgjohet në sfond. Disa të pranishëm dëgjohen të thërrasin: “Ku është sigurimi?”. “Daily Mail” ka kërkuar koment nga Policia Metropolitane lidhur me videon.

Sipas Policisë Metropolitane, 140 persona u arrestuan deri në orën 20:00 të së dielës, ditës së parë të karnevalit: 105 brenda zonës së eventit dhe 35 në hyrje-dalje. Këto shifra janë rreth 40% më të larta se në hapjen e vitit të kaluar (104 arrestime). Nga 35 arrestimet jashtë perimetrit, 13 erdhën si rezultat i njohjes së fytyrës në kohë reale përmes kamerave të CCTV. Po atë pasdite, pranë Portobello Road, oficerë u panë duke mbajtur zvarrë një burrë që dukej se po i rezistonte arrestimit, ndërsa pak më herët një i ri u ndalua për kontroll dhe iu vunë prangat.

Policia Metropolitane: “Operacioni i sigurisë për ditën e parë ka hyrë në fazën e shpërndarjes, ndërsa turmat kthehen në shtëpi. Një numër i konsiderueshëm oficerësh mbeten në zonë për çdo incident.”

Ndërkohë, bashkia e Kensington & Chelsea ka nisur pastrimin e mbetjeve që pritet të kalojnë 300 ton gjatë fundjavës së karnevalit. 180 pastrues dhe 45 mjete grumbullimi po punojnë që rrugët të jenë sërish të pastra deri të martën në mëngjes.