FLASH :

Momenti shokues kur gruaja e godet në fytyrë Macronin, teksa zbresin nga avioni

Një moment befasues ka zënë titujt kryesorë në median ndërkombëtare, pasi Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, u filmua duke i shtyrë fytyrën të shoqit, Presidentit Emmanuel Macron, në çastin kur zbrisnin nga avioni presidencial në Hanoi të Vietnamit. Pamjet, të regjistruara nga agjencia Associated Press, tregojnë Presidentin teksa del nga dera e avionit, i ndjekur nga duart e bashkëshortes së tij që i shtyjnë fytyrën në mënyrë të dukshme.

Në video, Macron duket i habitur, por e përmban veten dhe përshëndet menjëherë me dorë, duke vijuar më pas zbritjen nga shkallët e avionit për takimin zyrtar me përfaqësuesit vietnamezë. Brigitte nuk e pranon krahun e ofruar nga Presidenti, duke e thelluar edhe më shumë spekulimin për një përplasje midis çiftit.

Fillimisht, Elizeja u përpoq të mohojë autenticitetin e pamjeve, por më pas e konfirmoi incidentin, duke e quajtur “një grindje e vogël mes çiftit”. Një zëdhënës presidencial tha për mediat franceze se “ishte një moment intime relaksi përpara nisjes së vizitës zyrtare” dhe u përpoq ta relativizojë situatën si një shaka mes bashkëshortëve.

Por interneti shpërtheu. Llogari të lidhura me grupe pro-ruse dhe propagandistë të ekstremit të djathtë nisën të shpërndanin me shpejtësi pamjet, duke i interpretuar si tregues të një përçarjeje në majën e shtetit francez. Kjo ngjarje vjen vetëm pak javë pasi Elizeja mohoi me forcë një tjetër spekulim të rremë, që pretendonte se Macron kishte fshehur një qese me kokainë gjatë një takimi në tren me liderët Keir Starmer dhe Friedrich Merz.

Vizita me peshë në Vietnam

Skandali mediatik rrezikon të errësojë qëllimin kryesor të turit diplomatik të Presidentit Macron në Azinë Juglindore. Vietnam është ndalesa e parë e një vizite njëjavore ku Presidenti francez po synon të promovojë Francën si një alternativë të besueshme ndaj fuqive dominuese – SHBA-së dhe Kinës.

Gjatë takimeve me krerët vietnamezë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste To Lam dhe Presidentin Luong Cuong, Macron ka nënshkruar mbi një duzinë marrëveshjesh në fushat e mbrojtjes, energjisë bërthamore dhe tregtisë. Një nga marrëveshjet më të rëndësishme është ajo midis Airbus dhe kompanisë vietnameze VietJet, për blerjen e 20 avionëve A330-900.

Në një deklaratë publike nga Hanoi, Macron theksoi rëndësinë e ruajtjes së një rendi botëror të bazuar në ligj, duke dënuar “retorikat e fuqisë dhe të pabarazisë” që po dominojnë në arenën globale.

Franca në Indo-Paqësor: Ambiciet për një partneritet strategjik

Presidenti francez synon ta forcojë partneritetin me Vietnamin si një pikë kyçe për politikën franceze në rajonin Indo-Paqësor. Franca ka demonstruar ambiciet e saj gjeostrategjike përmes pranisë ushtarake në Detin e Kinës Jugore dhe ka premtuar mbështetje për Vietnamin në fushat e mineraleve kritike, transportit hekurudhor me shpejtësi të lartë dhe energjisë së pastër.

Ky është udhëtimi i parë i Macron në Vietnam që prej marrjes së detyrës në vitin 2017. Vizita synon të riaktivizojë lidhjet me një ish-koloni franceze që sot është kthyer në një fuqi në rritje në Azinë Juglindore.

Pas ndalesës në Vietnam, Macron pritet të udhëtojë në Indonezi dhe Singapor, ku do të vazhdojë përpjekjet për të rritur peshën e Francës në rajonin e ndjeshëm të Indo-Paqësorit.