Pamje tronditëse kanë kapur momentin historik kur vullkani Krasheninnikov në Gadishullin Kamçatka shpërtheu për herë të parë në 600 vjet. Shpërthimi ndodhi gjatë natës, vetëm pak ditë pas tërmetit 8.8 ballë që shkaktoi paralajmërime për cunami në Japoni, pjesë të SHBA-së dhe Filipine.
Gjatë shpërthimit – të parit në historinë e regjistruar – vullkani hodhi një re hiri deri në 8,800 metra lartësi, duke detyruar autoritetet të lëshojnë alarm të kuq për aviacionin. Pilotët që fluturonin mbi zonë u paralajmëruan për rrezik, ndërsa Ministria e Emergjencave e Rusisë i bëri thirrje qytetarëve të mos i afroheshin vullkanit.
Shkencëtarët thonë se hera e fundit që Krasheninnikov kishte nxjerrë llavë ishte rreth vitit 1436. Shpërthimi i tij pason një seri aktivitetesh sizmike dhe vullkanike në rajon, përfshirë edhe shpërthimin e vullkanit Klyuchevskoi dhe një tërmet 6.7 ballë në Ishujt Kuril.
Pavarësisht fuqisë së shpërthimit, autoritetet konfirmuan se nuk ka rrezik të menjëhershëm për jetën apo faunën e zonës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shpërthimet e hirit mund të arrijnë deri në 10 kilometra lartësi dhe të ndikojnë në fluturimet ndërkombëtare.
Krasheninnikov është pjesë e Brezit Lindor Vullkanik të Rusisë, një prej rajoneve më aktive në botë me rreth 300 vullkane, 29 prej të cilëve ende aktivë.
