FLASH :

Momenti kur pasagjeri i Air India del nga “Ferri” me celular ne dore

Një video tronditëse e publikuar së fundmi tregon momentin e pabesueshëm kur një burrë britanik, i vetmi që mbijetoi nga përplasja vdekjeprurëse e avionit Air India, ecën i qetë në rrugë, duke folur në telefon, ndërsa pas tij avioni digjej në flakë.

Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, është i mbijetuari i vetëm i fluturimit AI171 të Air India-s, që u rrëzua të enjten vetëm pak sekonda pas nisjes nga Ahmedabad-i në drejtim të Gatwick-ut, në Britaninë e Madhe. Nga 242 persona në bord, përfshirë 53 britanikë dhe ekuipazhin, askush tjetër nuk arriti të mbijetojë.

Pamjet dramatike tregojnë Ramesh duke ecur i tronditur në rrugë, disa metra larg një infernoje që kishte përfshirë ndërtesat e Kolegjit Mjekësor BJ dhe Spitalit Civil, ku u rrëzua pjesa më e madhe e avionit. Disa banorë lokalë dëgjohen duke bërtitur dhe thirrur për ndihmë, ndërsa një burrë me një çallmë blu i afrohet Ramesh duke bërtitur: “Avioni shpërtheu!”

Ramesh, i cili ishte ulur në vendin 11A pranë vëllait të tij Ajay – që humbi jetën – ka rrëfyer se si arriti të dalë nga avioni përmes një dere të thyer emergjente pasi pjesa ku ndodhej ai u përplas në një ndërtesë të ulët. “Nuk kërceva. Vetëm dola jashtë,” u shpreh ai për televizionin indian DD India, ndërsa qëndronte ulur në krevatin e spitalit me fytyrë të gjakosur. “Është një mrekulli,” shtoi ai, duke theksuar se e ka të vështirë të përshkruajë atë që ka parë.

Mjekët konfirmuan se Ramesh ka vetëm dëmtime të lehta – disa gërvishtje në parakrah dhe fryrje në qepallë. “Gjendja e tij është stabile dhe nuk ka dëmtime të brendshme,” thanë ata.

Pavarësisht shëndetit të mirë, familja e Vishwash po përballet me dhimbjen e madhe të humbjes së Ajay-t. Babai i tyre, Ramesh, është në spital pranë djalit të mbijetuar, por tepër i tronditur për të folur me median.

Hetimet për aksidentin vijojnë, ndërsa autoritetet kanë gjetur kutinë e dytë të zezë të avionit, regjistruesin e zërit në kabinën e pilotëve, i cili do ndihmojë për të rindërtuar momentet e fundit para tragjedisë – duke zbuluar se çfarë shkaktoi këtë nga aksidentet ajrore më tragjike të dekadës.

Pamje të tjera tregojnë pjesë të avionit të varura në kantinën e goditur, me pjata ushqimi ende mbi tryeza, dëshmi e një tragjedie që ndodhi në sekonda.

Ndërkohë, britaniku që mbijetoi, simbol i mbijetesës në një tragjedi masive, është bërë objekt frymëzimi dhe tronditjeje për publikun, ndërsa bota pret të zbulojë të vërtetën pas katastrofës së AI171.