Një burrë dhe një grua janë kapur nga kamerat e sigurisë duke vjedhur rroba për foshnja në butikën Blue Almonds në Walton Street, South Kensington — një prej dyqaneve të preferuara të Princeshës së Uellsit, Kate Middleton.
Pamjet tronditëse të kamerave CCTV, të publikuara nga vetë butikja në rrjetet sociale, tregojnë burrin duke futur në mënyrë të fshehtë tre rroba të vogla blu poshtë pantallonave të tij ndërsa shtiret sikur po mbledh diçka nga dyshemeja. Ai më pas fut në xhep një kapuç të vogël për foshnja dhe një tjetër rrobë poshtë pantallonave, përpara se të largohet qetësisht nga dyqani duke përshëndetur shitëset.

Gruaja që e shoqëronte, e veshur me një fustan të bardhë veror dhe sandale, del menjëherë pas tij nga dyqani, duke kthyer kokën mbrapa teksa largohet.
Blue Almonds është një ndër butikët më ekskluzivë dhe më të shtrenjtë në Londër për rroba dhe aksesorë për foshnja. Princesha Kate dhe nëna e saj, Carole Middleton, kanë blerë më parë një shportë me vlerë 295 paund për Princin George vetëm disa javë para lindjes së tij. Vizita në prill 2013 përfshiu mbi një orë zgjedhje mes shportave “Moses baskets”, përpara se të zgjidhnin një model të madh prej thurjeje të bardhë.

Edhe këngëtarja Lily Allen thuhet se ka qenë ndër klientet e mëparshme të butikës.
Pas vjedhjes, stafi i Blue Almonds publikoi pamjet në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmën e publikut për identifikimin e autorëve:
“Ju lutemi shpërndani këtë video… mund të ndihmojë në identifikimin e personave dhe rrit mundësinë që ata të kapen. Ndodhia ishte e dhimbshme, edhe pse raste të tilla janë të rralla për ne.”

Ata shtuan gjithashtu:
“Po e ndajmë këtë si shërbim publik, për të paralajmëruar edhe bizneset e tjera në zonë që të jenë të kujdesshme. Nëse njihni dikë nga pamjet, mund të kontaktoni policinë duke përdorur numrin e referencës së krimit: 01/7719971/25, ose na shkruani në Instagram, Facebook apo email. Çdo informacion do t’ia përcjellim policisë.”

Një zëdhënës i Policisë Metropolitane deklaroi:
“Policia bën thirrje për informacione shtesë pas një raportimi për vjedhje në një dyqan në Walton Street, Kensington, i raportuar në orën 21:02 më 10 korrik. Deri më tani nuk janë bërë arrestime. Çdokush që ka informacion, të kontaktojë policinë në 101, duke cituar referencën: 01/7719971/25.”