Shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar se një meteorit që përplasi çatinë e një shtëpie në McDonough, Georgia, është më i vjetër se planeti ynë. Sipas analizave të Universitetit të Georgias, fragmenti i gurit kozmik u formua rreth 4.56 miliardë vite më parë, çka e bën rreth 20 milionë vite më të vjetër se Toka.
Ngjarja ndodhi më 26 qershor, kur objekti fluturoi në qiell gjatë ditës dhe shpërtheu mbi shtetin e Georgias, siç konfirmoi NASA. Meteoriti, që udhëtoi miliarda kilometra përpara se të hynte në atmosferën tonë, përfundoi duke shpuar çatinë e një banese, duke i dhënë pronarëve të saj një “souvenir” të rrallë nga hapësira.
Sipas studiuesve, ky lloj meteoriti është një relikt i hershëm i formimit të sistemit tonë diellor, duke ofruar të dhëna të çmuara për origjinën e planetëve.