FLASH :

Momenti kur kapet anëtari i bandës së Rrumit të Shijakut me pistoletën gati për qitje

Mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit Erald (Aldi ) Mustafa 39 vjeç, dhe Arbi Haxhiu 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje. Këta shtetas qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, por nuk kanë mundur dot pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Aldi Mustafa në fakt nuk është një emër i padëgjuar për policinë. 3 vite më parë ai u kap me disa persona të tjerë, teksa ishte në makine me arsenal armësh. Ndërkohë që rreth një vit e gjysmë më parë, persona ende të paidentifikuar shpërthyen me telekomandë makinën e tij. Mustafa doli i pa lënduar nga shpërthimi ndërsa pak minuta para se të ndodhte ngjarja. 39-vjeçari ishte në kërkim për ngjarjen e 13 gushtit në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar, ku në banesën e Ilir Gjeçajt u vendos një sasi lënde plasëse. Mustafa është pjesë e grupit të Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe edhe si ‘Rrumi i Shijakut’ dhe i dënuar më parë për kanosje e drogë. Mustafa është dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe ka vuajtur një dënim prej 10 vitesh burg në Gjermani.
Aktualisht policia po heton në lidhje me ngjarjen në fjalë si dhe personin që ishte vënë nën shënjestrën e tyre.