FLASH :

Momenti kur Izraeli godet reaktorin bërthamor të Iranit në Arak

Operacioni ushtarak i Izraelit për të asgjësuar kapacitetet bërthamore të Iranit ka hyrë në ditën e shtatë, me sulme të shtuara ajrore ndaj objekteve strategjike si reaktori i rëndë me ujë në Arak dhe objekti i pasurimit në Natanz. Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), 40 avionë luftarakë kanë lëshuar 100 municione në dhjetëra objekte ushtarake dhe bërthamore në të gjithë territorin iranian.

Sulmi mbi Arak – një objekt në ndërtim që Teherani e kishte planifikuar ta aktivizonte vitin tjetër – synoi komponentët për prodhimin e plutoniumit, një material kyç për ndërtimin e bombës atomike. Televizioni shtetëror iranian raportoi se “nuk ka rrezik radioaktiv”, ndërsa banorët përreth u paralajmëruan të evakuoheshin përpara goditjes.

IDF njoftoi gjithashtu se ka goditur pajisje për prodhimin e raketave balistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe depo ushtarake, duke shkaktuar shpërthime të mëdha në Isfahan, Shiraz dhe Kermanshah.

Trump: Plani i miratuar, por pritet “dorëzimi i plotë” nga Irani

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump i ka thënë këshilltarëve se ka miratuar planin për një sulm ushtarak ndaj Iranit, por do të presë për të parë nëse Teherani heq dorë nga programi i tij bërthamor. “Nuk është më koha për armëpushim – dua dorëzim të pakushtëzuar,” deklaroi Trump të mërkurën.

Sipas Axios, Trump ka pyetur nëse bombat bunker-buster prej 30,000 paundësh (Massive Ordnance Penetrators) mund të shkatërrojnë qendrën Fordo, e vendosur thellë nëntokë. Pentagoni besohet se e ka siguruar se bomba mund të jetë efektive, ndonëse këto armë nuk janë përdorur kurrë në luftë reale.

Në mungesë të kapaciteteve për të goditur Fordon me mjete ajrore, izraelitët kanë sugjeruar se mund ta shkatërrojnë “me njerëz”, sipas një burimi amerikan.

Bilanci njerëzor dhe tensionet

Sipas autoriteteve iraniane, nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 224 persona, shumica civilë. Organizata Human Rights Activists raporton mbi 585 viktima, nga të cilët 239 civilë, dhe më shumë se 1,300 të plagosur.

Nga ana tjetër, Irani ka lëshuar mbi 400 raketa dhe 1,000 dronë drejt Izraelit, duke vrarë 24 persona dhe plagosur mbi 500.

Ndërkohë që situata mbetet e brishtë, në Tel Aviv është shfaqur një pankartë drejtuar Trump:
“Zoti President, përfundo punën!”

Një hap larg një përplasjeje totale?

Izraeli thotë se sulmet janë të domosdoshme për të parandaluar realizimin e planit të Iranit për të “shkatërruar shtetin hebre”, ndërsa Irani deklaron se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, edhe pse mbetet i vetmi shtet jo-bërthamor që pasuron uranium deri në 60%, vetëm një hap teknik nga armët bërthamore.

Me tensionet që kulmojnë dhe planet për ndërhyrje ushtarake të pashmangshme, rajoni po rrezikon të rrëshqasë drejt një lufte të re të përmasave bërthamore.