Një zhvillim i papritur ka ndodhur në Bashkinë e Himarës këtë të hënë, ku kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo, ka marrë vendimin për të shpërbërë tërësisht Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit. Sipas burimeve nga brenda institucionit, janë shkarkuar nga detyra pesë punonjës të kësaj strukture dhe vetë drejtuesi i drejtorisë.
Vendimi erdhi pas akuzave për abuzime me detyrën, ku në vend që të luftonin ndërtimet e paligjshme dhe shfrytëzimin e territorit në mënyrë të parregullt, punonjësit dyshohet se kanë vepruar në të kundërtën e ligjit dhe rregullores që i udhëzon.
Kjo njësi, që ka pasur si funksion parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në territor, është vënë nën lupën e kryebashkiakut pas sinjalizimeve për tolerime dhe veprime në shkelje të hapur të ligjit. Deri tani, nuk ka një deklaratë zyrtare nga Bashkia e Himarës për detajet e vendimit dhe arsyet konkrete që çuan në këtë masë ekstreme, ndërsa pritet një reagim zyrtar në vijim. Shkrirja e kësaj strukture ngre pyetje mbi mënyrën se si do të monitorohet territori në vijim në një nga zonat më të ndjeshme turistike të vendit.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur këtë javë një aksion të gjerë në bregdetin e Bashkisë Himarë, me qëllim shembjen e ndërtimeve pa leje që kanë zaptuar hapësirat publike.
Sipas burimeve, në plan janë dhjetëra objekte që pritet të prishen gjatë ditëve në vijim. Këto struktura janë kryesisht me konstruksion hekuri dhe druri, dhe përfshijnë bare, beach bare dhe njësi të tjera shërbimi që rezultojnë se funksionojnë në mënyrë të paligjshme.
Aksioni ka nisur nga fshati turistik i Dhërmiut dhe pritet të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare të Himarës, ku vit pas viti evidentohen ndërtime të reja pa leje, sidomos gjatë sezonit turistik.







