Një situatë paradoksale është shënuar në Los Angeles, ku ndërsa dhuna shpërtheu në rrugë, një reporter lokal e minimizoi ngjarjen në transmetim të drejtpërdrejtë. Gazetari i ABC7, Tim Caputo, raportonte nga qendra e qytetit me flakë dhe tym të zi që ngriheshin pas tij, kur u shpreh se “shumica dërrmuese e protestuesve janë duke xhiruar video dhe valëvitur flamuj”.
Në sfond dëgjoheshin shpërthime, ndërsa pamjet ajrore tregonin automjete që digjeshin, por Caputo ngulte këmbë se nuk e konsideronte situatën “të karakterizueshme si trazirë”, ndonëse Presidenti Trump e kishte etiketuar si të tillë.
“Unë nuk do të shkoja deri aty ta quaja kështu. Presidenti Trump ka folur për trazira dhe plaçkitje – por unë nuk do ta përshkruaja në atë mënyrë,” u shpreh Caputo në një moment ku kameramani u përpoq të shmangte shtëllungat e tymit pas tij.
Komenti i tij nxisu reagime të ashpra në rrjete sociale, ku përdorues të ndryshëm ironizuan: “Nëse heq pjesën e dhunshme, është shumë paqësore”, ose “Ai mendon se s’kemi sy të shohim”.
Situata shpërtheu pas arrestimeve masive të emigrantëve, ku qindra persona u mblodhën pranë Qendrës së Paraburgimit Metropolitan në LA. Protestuesit u përplasën me agjentët federalë dhe u qëlluan me mjete kontrolli, përfshirë gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Presidenti Trump mbrojti vendimin për të vendosur 300 trupa të Gardës Kombëtare, duke akuzuar guvernatorin Gavin Newsom dhe demokratët për “dështim në frenimin e dhunës”. Nga ana tjetër, Kamala Harris reagoi ashpër duke e cilësuar lëvizjen si “agjendë të pashpirt për të përhapur panik dhe ndasi”.
Ndërkohë, autostrada 101 u bllokua nga turma, duke përshkallëzuar më tej tensionin në qytet.