FLASH :

Momenti kur “Fantazma” amerikane që goditi Fodrow shoqërohet nga F-15 izraelit dhe furnizuesi ajror

Në orët e para të së shtunës, nga hangarët e bazës ajrore Whiteman në Misuri, në ajrin e lagësht të Mesamerikës, u nisën në heshtje “Mbrojtësit e Padukshëm”. Bëhej fjalë për nëntë avionët më të avancuar dhe më të kushtueshëm në botë – bombarduesit B-2 Stealth – të cilët, me pamjen e tyre futuriste, u nisën drejt një misioni që do të linte gjurmë në historinë e aviacionit ushtarak amerikan dhe do të ndryshonte peizazhin e Lindjes së Mesme.

Edhe brenda vetë bazës ushtarake në SHBA, detajet e misionit mbaheshin rreptësisht të fshehta. Pak pas mesnatës, bombarduesit u ngritën në ajër për një mision që do të zgjaste 37 orë dhe do të trondiste botën. Operacioni “Midnight Hammer” shënon fundin e një përplasjeje 45-vjeçare mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit – dhe ndonëse shumë nga detajet ende nuk janë publikuar, dihet se ky mision ishte planifikuar dhe stërvitur prej vitesh për pikërisht këtë skenar.

Nën krahët e secilit B-2 ndodheshin nga dy bomba konvencionale gjigante GBU-57 – të njohura në zhargonin ushtarak si “Massive Ordnance Penetrator” (MOP), bomba që shkatërrojnë objekte të varrosura thellë nëntokë, siç janë impiantet bërthamore.

Fillimisht, formacioni fluturonte në formë trekëndore mbi territoret e mëdha të SHBA-së, por më pas nisi mashtrimi i parë – një lëvizje për të hutuar botën dhe për të mbuluar qëllimet e vërteta të Donald Trump. Dy nga bombarduesit u shkëputën nga grupi dhe u drejtuan nga Oqeani Paqësor, drejt Guamit – një territor amerikan në Mikronezinë Paqësore ku ndodhet baza ajrore Andersen, rreth 6,500 kilometra larg Iranit.

Ky devijim, i kapur shpejt nga ndjekës të vëmendshëm të qiellit në këto kohë tensioni, u përhap në agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dhe bëri bujë në ekranin e Fox News. Ndërkohë, shtatë avionët e tjerë vazhduan në heshtje drejt objektivit real – impiantet bërthamore të drejtuara nga regjimi i Teheranit.

Nën një heshtje virtuale radioje, pa u zbuluar nga radarët, ata fluturuan për 18 orë, të ndihmuar nga aeroplanë furnizues me karburant në ajër, të cilët siguronin mbështetje gjatë gjithë rrugëtimit.

Gjenerali Dan Caine, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, sqaroi para mediave botërore: “Si pjesë e planit për të ruajtur surprizën taktike, një pjesë e formacionit u drejtua nga Paqësori si një mashtrim. Ky mashtrim njihej vetëm nga një numër shumë i vogël planifikuesish dhe liderësh kyç në Uashington dhe në Komandën Qendrore në Tampa. Pjesa kryesore e sulmit u drejtua në heshtje drejt lindjes, me komunikime minimale. Gjatë fluturimit 18-orësh drejt objektivit, avionët realizuan disa furnizime në ajër.”

Ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë, në dhomën e luftës, Presidenti amerikan dhe zyrtarët e tij më të lartë ndoqën zhvillimet me tension e entuziazëm. I rrethuar nga figura kyçe si nënpresidenti JD Vance dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Trump priti raportet e para që konfirmuan se mashtrimi kishte funksionuar dhe bombardimi ishte kryer pa u zbuluar dhe pa ndonjë përgjigje nga mbrojtja iraniane.

Një mungesë e spikatur në dhomë ishte ajo e Drejtoreshës së Sigurisë Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila është distancuar nga Presidenti pasi kishte mbështetur një raport të inteligjencës amerikane që kundërshtonte pretendimet izraelite, duke thënë se Irani nuk ishte në prag të prodhimit të një arme bërthamore. Sipas burimeve, Trump nuk ka folur me të që prej asaj kohe, dhe ajo gjashtë që ishte ndër të shumtët që nuk ishin në dijeni të operacionit “Midnight Hammer”.

Ky ka qenë misioni më i klasifikuar i SHBA-së në vitet e fundit. Madje, edhe brenda Pentagonit, vetëm një grusht oficerësh ishin në dijeni të ekzistencës së tij – aq më pak të detajeve operacionale.

Sipas raportimeve, Britania e Madhe është informuar për misionin pak para se të hidheshin bombat, por fakti që Trump vendosi ta niste sulmin nga territori amerikan, dhe jo nga baza e përbashkët britaniko-amerikane në Diego Garcia, është konsideruar si një sinjal i qartë politik.

Operacioni “Midnight Hammer” nuk la asnjë të shtënë nga ana e kundërshtarit – dhe për momentin, ka shënuar një nga goditjet më të mëdha taktike të SHBA-së pa shkëmbyer zjarr. Por pyetjet mbi pasojat politike, hakmarrjen iraniane dhe rolin e aleatëve sapo kanë nisur të marrin formë.