FLASH :

Momenti kur droni izraelit bombardon Flotën e Gazës në Tunizi

Flota Globale Sumud (GSF) për Gazën deklaroi se një nga anijet kryesore të saj, “Family Boat”, u godit nga një dron në brigjet e Tunizisë të martën herët në mëngjes, por autoritetet tuniziane hodhën poshtë këtë pretendim.

Sipas agjencisë shtetërore tuniziane TAP, Ministria e Brendshme e Tunizisë mohoi raportimet se anija me flamur portugez ishte goditur nga një dron ndërsa ishte ankoruar jashtë portit të Sidi Bou Said.

Ministria tha se njësitë e sigurisë inspektuan vendin dhe përcaktuan se zjarri ishte shkaktuar nga ndezja e një jeleku shpëtimi. Flakët u shuan shpejt dhe nuk shkaktuan asnjë të lënduar apo dëme materiale, përveç djegies së disa jelekëve, shtoi ajo.

Më herët gjatë ditës, flota kishte thënë në një deklaratë se anija ishte goditur nga një dron në ujërat tuniziane.

Grupi publikoi gjithashtu pamje të marra nga një tjetër anije, të cilat, sipas tyre, “tregojnë momentin e saktë kur Family Boat u godit nga lart.” Pamjet bardhë e zi duket se tregojnë një objekt ndezës që bie mbi anije, duke shkaktuar shpërthim dhe zjarr.

Në bord ndodheshin edhe pjesëtarët e ekuipazhit të “Madeleine”, anijes së mëparshme të flotës së ndihmave që u sekuestrua nga ushtria izraelite në qershor. Midis tyre ishin aktivistja suedeze Greta Thunberg, aktivistja Yasemin Acar, braziliani Thiago Avila dhe turku Suayb Ordu.

“Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë të sigurt,” thuhej në deklaratë, duke shtuar: “Një hetim është në zhvillim e sipër dhe sapo të ketë më shumë informacion, do të publikohet menjëherë.”

“Veprime agresioni që synojnë të na trembin dhe të sabotojnë misionin tonë nuk do të na ndalin. Misioni ynë paqësor për të thyer rrethimin e Gazës dhe për të qëndruar në solidaritet me popullin e saj do të vazhdojë me vendosmëri dhe qëndrueshmëri,” shtohej më tej.

“Një dron erdhi drejt mbi të, lëshoi një bombë dhe ajo shpërtheu, anija u përfshi nga flakët,” tha Acar, anëtare e komitetit drejtues, në një mesazh në Instagram.

Flota Globale Sumud, e emërtuar sipas fjalës arabe për “qëndresë”, përbëhet nga mbi 50 anije me njerëz nga vende të ndryshme, përfshirë mjekë, gazetarë dhe aktivistë. Rreth 150 aktivistë – mes tyre tunizianë, turq dhe të tjerë nga Evropa, Afrika dhe Azia – po marrin pjesë në këtë nismë.

Flota u nis nga Barcelona në fund të gushtit, së bashku me një grup tjetër nga Gjenoa e Italisë, dhe pritet të niset nga Tunizia drejt Gazës të mërkurën.

Iniciativa ka si qëllim sfidimin e bllokadës izraelite dhe dërgimin e ndihmave humanitare për Gazën.

Më 22 gusht, Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), i mbështetur nga OKB-ja, raportoi se uria masive kishte mbërthyer Gazën veriore dhe paralajmëroi se mund të përhapej më tej përderisa bllokada e Izraelit vazhdon.

Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza hyri në ditën e saj të 700-të të premten, me mbi 64,500 palestinezë të vrarë. Fushata ushtarake ka shkatërruar tërësisht enklavën, e cila përballet me uri.

Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.