Dy influencere kanë përjetuar një moment paniku në ujërat e ishullit të pabanuar Atokos në Greqi, kur u përballën papritur me një derr të egër që po notonte drejt tyre. Ngjarja u filmua dhe u publikua në TikTok, ku shihet momenti kur vajzat përpiqen të dalin sa më shpejt nga deti, ndërsa një zë dëgjohet të bërtasë: “Dilni nga uji, nuk është e sigurt!”
Teksa po notonin pranë bregut të ishullit Atokos, afër Itakës, dy vajzat fillimisht e konsideruan kafshën si “të këndshme nga larg”, por paniku shpërtheu kur derri u afrua me shpejtësi dhe nisi të notonte drejt tyre. Në video, njëra nga mikeshat që ndodhej në varkë paralajmëron: “Ai është shumë afër jush!” ndërsa influencet përpiqen të dalin në breg me not të shpejtë.
Ishulli Atokos, i njohur për bukurinë natyrore dhe ujërat e kristalta të Detit Jon, është i aksesueshëm vetëm me varkë dhe i njohur për një popullsi të pazakontë të derrave të egër. Origjina e këtyre kafshëve mbetet një mister: disa besojnë se janë sjellë nga detarët si burim ushqimi dhe më pas janë braktisur, ndërsa të tjerë mendojnë se janë pasardhës të derrave që kanë mbijetuar nga mbytjet e anijeve.
Ngjarja është bërë virale në rrjete sociale dhe ka rikthyer në vëmendje jo vetëm rrezikun që përfaqësojnë kafshët e egra për turistët, por edhe veçantinë e ishujve grekë që çdo vit presin miliona vizitorë nga e gjithë bota. Vetëm në vitin 2024, Greqia mirëpriti mbi 30 milionë turistë ndërkombëtarë.