Pamje shpërthyese janë publikuar nga momenti kur një pulëbardhë përplaset dhe thyen kabinën e një Eurofighter Typhoon, një avion luftarak britanik me vlerë 73 milionë paund, gjatë një shfaqjeje ajrore në Spanjë. Fotografi i aviacionit, Javier Alonso de Medina Salguero, kapi aksidentin dramatik gjatë festivalit ndërkombëtar të ajrit Aire25, të mbajtur në bazën ajrore San Javier, më 15 qershor.
Në serinë e fotove, shihet qartë momenti kur pulëbardha kalon përpara avionit dhe çasti pasues kur pjesë të trupit të saj, përfshirë pupla dhe gjak, përplasen mbi kabinën e pilotit. Përplasja ka qenë aq e fortë sa theu xhamin e kabinës, duke detyruar pilotin të ndërpresë menjëherë demonstrimin dhe të kryejë një ulje emergjente.
“Fillimisht nuk e kisha vënë re çfarë kishte ndodhur, por kur pashë fotot, u habita kur vura re që kabina ishte thyer,” tha fotografi për mediat lokale. Për fat të mirë, piloti arriti të ulej i padëmtuar.
Incidenti është një kujtesë tronditëse e rrezikut të përplasjes së shpendëve me avionët – një fenomen i njohur si “bird strike” – i cili mund të ketë pasoja të rënda, edhe në misione stërvitore.










