Një video tronditëse ka qarkulluar në rrjet, duke dokumentuar një përballje të pazakontë mes trupave ukrainase dhe një ushtari të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë, në zonën e quajtur “operacion special ushtarak”. Pamjet, të publikuara nga kanali rus në Telegram Voenny Osvedomitel (Informatori Ushtarak), tregojnë momentet dramatike kur ushtarët ukrainas afrohen për të kapur një luftëtar koreano-verior të shtrirë në dëborë.
Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi në janar 2025 dhe ka shkaktuar jehonë të gjerë për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë të personelit të Koresë së Veriut në një zonë të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Prania e ushtarëve koreano-veriorë ka ngritur pikëpyetje serioze për rolin e Phenianit në këtë konflikt dhe shkallën e përfshirjes së vendeve të treta në luftën që po përshkallëzohet vazhdimisht.
Derisa Ukraina ende nuk ka komentuar zyrtarisht për ngjarjen, prania e ushtarëve të Koresë së Veriut në front përbën një zhvillim alarmant në dinamikën e konfliktit. Rusia, ndërkohë, nuk ka mohuar e as konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin ushtarak me regjimin e Kim Jong-un, por raportet për armë dhe municione koreane që kanë përfunduar në duart e Moskës janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit.
Ky episod i përgjakshëm, përveçse nënvizon brutalitetin e konfliktit, hedh dritë mbi një aleancë të errët që po zgjerohet në sfondin e luftës – një aleancë që përfshin aktorë të izoluar, por të gatshëm të kontribuojnë në emër të interesave strategjike të përbashkëta me Kremlinin.