Pamje dramatike nga mali Etna në Itali tregojnë turistë që vrapojnë të tmerruar për të shpëtuar jetën, ndërsa një re e madhe hiri vullkanik shpërthen nga krateri juglindor i malit. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 11:24, kur një pjesë e kraterit u shemb dhe shkaktoi një rrjedhje të fuqishme piroklastike – një përzierje vdekjeprurëse e gurëve të shkrirë, hirrit dhe gazrave të nxehtë.
Megjithë rrezikun, disa turistë guximtarë u panë duke ndalur për të bërë foto para se të largoheshin nga vendi i rrezikshëm. Etna, vullkani më aktiv në Europë, ka qenë në aktivitet të shtuar kohët e fundit, me shpërthime të njëpasnjëshme dhe dridhje të regjistruara që prej orës 22:00 të natës së kaluar.
Autoritetet italiane lëshuan një paralajmërim të kuq për aviacionin pas shpërthimit, ndërsa reja e hirit arriti një lartësi mbi 6.5 kilometra. Më pas, niveli i rrezikut për fluturimet u ul në “portokalli”.


Sipas Observatorit Vullkanologjik të Etna-s, rrjedhja piroklastike është shkaktuar nga shembja e anës veriore të kraterit juglindor. Në të njëjtën kohë, është vërejtur një “çezmë llave” që ka vijuar pas shpërthimit.
Reja e madhe gri përbëhet kryesisht nga ujë dhe dioksid squfuri dhe është zhvendosur drejt jugperëndimit. Ndërkohë, në zonën Piano Vetore është raportuar rënie e hollë hiri.


Shpërthimi i fundit ka sjellë kujtime të errëta për banorët vendas, pasi Etna është përgjegjës për një nga katastrofat më vdekjeprurëse në historinë italiane: në vitin 1669, një shpërthim i gjatë për disa javë vrau afro 20 mijë persona dhe mbuloi me lavë fshatra të tëra.
Për momentin, aktiviteti vullkanik është qetësuar disi, por reja kërcënuese mbetet e dukshme në horizont. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin zonat pranë vullkanit dhe të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare.







