Një përplasje fatale në ajër midis një helikopteri ushtarak Black Hawk dhe një avioni të linjës komerciale të American Airlines ka shkaktuar vdekjen e të 67 personave që ndodheshin në bord, duke u shndërruar në një nga aksidentet më të rënda ajrore të viteve të fundit në SHBA.
Avioni i pasagjerëve, i cili ishte në fazën përfundimtare të zbritjes drejt aeroportit Reagan National në Washington D.C., u godit nga helikopteri që po kryente një mision stërvitor në lartësi të ulët, gjatë kthimit për në bazën ushtarake Fort Belvoir.
Pamje nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur dy mjetet përplasen në ajër mbi lumin Potomac, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm. Në bord ndodheshin 63 pasagjerë dhe ekuipazh në avionin komercial dhe 4 anëtarë ekuipazhi në helikopter – të gjithë humbën jetën.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se sistemi altimetrik i helikopterit kishte dhënë lexime të gabuara, duke e bërë ekuipazhin të besonte se ndodhej më lart sesa ishte në realitet. Kjo gabim fatal e çoi helikopterin në trajektore të rrezikshme, shumë afër avionit në ulje.
Kontrolli i trafikut ajror kishte dhënë dy paralajmërime për praninë e avionit, por një udhëzim kritik që kërkonte shmangie nuk u dëgjua nga ekipi i helikopterit. Disa sekonda para përplasjes, të dyja mjetet ajrore ndodheshin në të njëjtën lartësi dhe distancë shumë të afërt.
Pas ngjarjes, janë kryer fluturime testuese për të analizuar ndikimin e rrjedhës së ajrit nga rotorët në sistemet e matjes së lartësisë, ku u konstatua se ajo ndikon ndjeshëm në saktësinë e leximeve.
Raportet e hetimit kanë theksuar gjithashtu shenja të lodhjes dhe stresi tek ekuipazhi i helikopterit, si dhe probleme me stafimin në qendrën e kontrollit ajror. Familjarët e viktimave kanë kërkuar drejtësi dhe mbajtje përgjegjësie nga institucionet përkatëse. Hetimet janë ende në vazhdim.