Pamje të reja CCTV tregojnë momentin kur një 15-vjeçar shtyn shokun e tij të klasës, Harvey Willgoose, vetëm disa orë përpara se ta vriste me një goditje thike në zemër gjatë pushimit të drekës në oborrin e shkollës All Saints Catholic High School në Sheffield, më 3 shkurt.
Dy adoleshentët, të cilët kishin qenë miq, kishin debatuar ashpër në rrjetet sociale ditët para ngjarjes. Vetëm mëngjesin e asaj dite, autori i kishte dërguar një mesazh kërcënues në Snapchat: “Nëse do sherr, mund ta bëjmë.”
Gjatë përplasjes që zgjati vetëm nëntë sekonda, i pandehuri nxori një thikë nga xhepi dhe e goditi dy herë. Plaga e parë i preku zemrën dhe theu një brinjë, duke e rrëzuar Harvey-t brenda pak sekondash.
Pas sulmit, pamjet tregojnë autorin duke hyrë në mensë me thikë në dorë, duke vallëzuar mbi majat e këmbëve dhe duke e tundur armën, ndërsa nxënësit tjerë iknin me panik. Mësuesit arritën ta bindin ta dorëzonte armën.
Familja e Harvey-t akuzon shkollën për mosveprim, pasi adoleshenti ishte në qendër të një incidenti me armë të ftohta vetëm një javë më parë, por nuk u kontrollua kur hyri në shkollë atë ditë. Madje, një orë para vrasjes, Harvey i kishte thënë një mësueseje se shoku i tij po sillej sikur kishte thikë – por ajo nuk ngriti alarmin.
Pas një gjyqi trejavor, juria e shpalli fajtor për vrasje me shumicë votash 11-1. Ai do të dënohet më 22 tetor.
Jashtë gjykatës, motra e Harvey-t, Sophie, mes lotësh u shpreh:
“Dita që u vra ishte dita që jeta jonë ndryshoi përgjithmonë. Ai ishte i dashur nga familja, i çmuar nga miqtë dhe i respektuar nga të gjithë që e njihnin. Humbja jonë është humbje për gjithë vendin.”