Një stunt i çmendur është realizuar nga motokrosisti i njohur gjerman Luc Ackermann, i cili ka sfiduar gravitetin duke bërë një salto mes dy kamionëve gjigantë në lëvizje, ndërsa kalonte edhe një portë sinjalistike mbi autostradë.
27-vjeçari nga Mühlhausen, i mbështetur nga Red Bull, u hodh me motorin e tij KTM nga një rampë mbi një kamion që lëvizte me 12 mph, duke arritur shpejtësinë 54 mph, përpara se të fluturonte 40 metra në ajër. Në mes të fluturimit ai realizoi një manovër ekstreme të quajtur “Tsunami Backflip”, duke kaluar mbi një pengesë 9 metra të lartë.
Por gjithçka rrezikoi të përfundonte keq, pasi një erë e fortë e shtyu motorin jashtë trajektores, duke bërë që Ackermann të ulej vetëm pak centimetra larg skajit të rimorkios së kamionit të dytë. Megjithatë, ai arriti të ruante kontrollin dhe të përfundonte uljen pa pasoja.
Sipas Red Bull, ky stunt i quajtur “Bridge Traverse” ishte planifikuar me detaje të imëta, ku ekspertët analizuan shpejtësinë, këndin e hedhjes, trajektoren dhe kushtet e erës. “Për një shikues të rastësishëm mund të dukej i pamundur, por ishte një operacion i llogaritur deri në detaj,” tha kompania.
Vetë Ackermann e cilësoi manovrën si një nga më të preferuarat e tij: “Unë e kthej motorin përmbys, mbajem vetëm tek timoni dhe varem poshtë tij në vijë të drejtë. Pjesa më e vështirë është rikthimi mbi motor para uljes,” u shpreh ai.
Pamjet e publikuara nga Red Bull kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, me përdorues që e quajnë një ndër stuntet më të rrezikshme dhe spektakolare të kryera ndonjëherë në autostradë.







