Një aksident ajror tragjik ka ndodhur në Itali, ku një aeroplan i vogël është rrëzuar papritur mbi një autostradë në zonën e Brescias, duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Ngjarja dramatike ndodhi në sy të shumë shoferëve, teksa avioni ra me shpejtësi dhe shpërtheu në flakë pranë makinave që po qarkullonin në trafik.
Sipas “Brescia Today”, në bord ndodheshin avokati 75-vjeçar Sergio Ravaglia dhe 50-vjeçarja Anna Maria De Stefano, të cilët humbën jetën si pasojë e përplasjes së dhunshme. Disa automjete në autostradë u prekën nga flakët, por fatmirësisht nuk raportohen të lënduar të tjerë. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit, i cili ende mbetet i paqartë.