Një personazh i njohur në TikTok u vra në mënyrë brutale, në stil ekzekutimi, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ndërsa po regjistronte përmbajtje me një tjetër krijues për rrjetet sociale.
Jabari Johnson, i njohur në rrjet si “Baba Skeng”, u vra të hënën në Saint Andrew, Xhamajkë, teksa ishte live me mikun e tij.
Pamjet tronditëse të ngjarjes tregojnë Johnson, 25 vjeç, duke qeshur dhe biseduar me mikun e tij, vetëm pak çaste para se të ndodhte sulmi.
Një atentator me maskë, veshur i gjithi me të zeza dhe duke përdorur armën me dorën e majtë, iu afrua nga pas dhe qëlloi në distancë shumë të afërt, duke e goditur në kokë dhe pjesën e sipërme të trupit.
Johnson u rrëzua përtokë mes ulërimave të tmerruara, ndërsa autori u largua në këmbë.
TikToker-i, që ishte djali i këngëtarit të njohur të regës Jah Mason, u shpall i vdekur në vendngjarje, raportoi The Jamaica Observer.
Policia lokale e Saint Andrew North ka nisur hetimet për vrasjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30, pranë dyqanit “Queenie’s Snack Shop” në rrugën Red Hills.
Sipas raportimeve, Johnson ishte në transmetim live duke luajtur një lojë me një tjetër TikToker, kur ndodhi sulmi.
Babai i tij e konfirmoi vdekjen për gazetën, por refuzoi të japë komente të mëtejshme, duke thënë se familja është ende në proces zie.
Vdekja e Johnson është pjesë e një serie vrasjesh të TikToker-ëve të njohur xhamajkanë, të cilat tronditën vendin muajt e fundit.
- Marlon Samuels, i njohur si “41 Busshead”, u vra me armë më 20 dhjetor 2024 në Montego Bay.
- Xavier ‘Niah Gang’ Fogah, 23 vjeç, u qëllua për vdekje më 7 dhjetor 2024 në St. Catherine.
- Në shtator 2024, një grup i armatosur vrau Keauno ‘Popsy’ Watson, 23 vjeç.
Por këto sulme nuk janë të kufizuara vetëm në Xhamajkë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ylli i TikTok-ut nga Meksika, Gordo Percui (emri i vërtetë Leovardo Asipuro Soto) dhe bashkëshortja e tij Brenda Félix u qëlluan për vdekje nga një bandë pranë shtëpisë së tyre në Culiacán, Meksikën veriperëndimore.
Soto vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa Félix u transportua në spital në gjendje kritike, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.