Një aventurë nënujore u kthye pothuajse në një makth për një turiste që po eksploronte një “kënde lojërash” të fundosur, kur helmeta që i siguronte oksigjenin iu shkëput nga koka.
Grupi i turistëve ndodhej në parkun Xcaret në Meksikë, duke marrë pjesë në përvojën “Sea Trek”, kur njëra prej vizitoreve humbi orientimin dhe rrëzoi aksidentalisht pajisjen e saj jetike për frymëmarrje.
Pamjet e incidentit janë bërë virale në rrjet, me miliona shikime dhe komente për sigurinë e aktivitetit dhe teoritë mbi atë që ndodhi — por një zhytës që pretendon se ishte në të njëjtin udhëtim ka ndarë një version tjetër të ngjarjes.

Në videon virale, turistët duken duke shijuar ekskursionin nënujë, me një grua që pozon për kamerën, ndërsa prapa saj shpërthen kaosi.
Në sfond, një grua tjetër mbahet pas shufrës udhëzuese kur një peshkaqen-trupgjerë (stingray) i kalon poshtë këmbëve. Ajo shtyhet poshtë shufrës dhe përmbyset, duke ngritur këmbët në ajër, ndërsa helmeta i del nga koka.

Kur ajo rrotulloi trupin, helmeta — që i siguronte oksigjenin e nevojshëm për të qëndruar nën ujë në zonën e mbikëqyrur — u shkëput. Në panik e sipër, ajo filloi të lëvizë në mënyrë të çrregullt, derisa zhytësit ndërhynë shpejt për ta nxjerrë në sipërfaqe, ndërsa pjesa tjetër e turistëve shikonin të tronditur.
Një video me nëntë milionë shikime pretendon se gruaja “u përmbys aksidentalisht për shkak të një rryme të fortë ajri që dilte nga fundi i detit”, por një tjetër grua, që thotë se ishte në videon origjinale, dha një shpjegim tjetër.

Ajo shkruan: “Gruaja pas meje u rrëzua pasi humbi ekuilibrin kur një stingray i kaloi pranë këmbëve dhe ajo tentoi t’i ngrinte këmbët lart, gjë që e bëri të binte përpara. Ajo është mirë dhe krejtësisht në gjendje të mirë pas incidentit.”
Shumë komentues ndanë opinionet e tyre për këtë aventurë të pazakontë nënujore, me shumicën që besonin se ajo ishte trembur nga stingray-i që kaloi poshtë saj.
“E kam provuar këtë dhe po, mjafton që rryma atje poshtë të jetë e fortë,” shkroi një komentues.
“Shikohet qartë që vajza kërcen disa herë në ajër për të prekur stingray-in. Ajo kërceu shumë lart dhe si pasojë këmbët i dolën përpjetë dhe u përmbys.”
“E pa stingray-n dhe në atë moment ktheu kokën, duke u rrotulluar si një top plazhi,” shtoi një tjetër.

“Duhet patjetër të mbahet shufra dhe të ndiqen udhëzimet!” komentoi një i katërt.
Ky ekskursion organizohet nga kompania Sub Sea Systems dhe ofrohet në shumë destinacione turistike. Zhytja me helmetë reklamohet si një aventurë e lehtë që mund të bëhet nga çdo person nga mosha tetë deri në 96 vjeç, pa pasur përvojë noti.
Helmetat janë prej materiali polikarbonati, një plastikë rezistente dhe transparente. Ato janë të rënduara në mënyrë që pjesëmarrësit të ecin në fund të detit. Nëse helmetat bien, turistët humbasin si burimin e oksigjenit, ashtu edhe peshën që i mban në fund.
“Helmetat funksionojnë si një gotë e përmbysur – ajri qëndron brenda për sa kohë që nuk e përmbys gotën,” shpjegon faqja zyrtare e Sub Sea Systems. “Kombinimi me një rrjedhje të vazhdueshme ajri siguron gjithmonë furnizim të freskët me oksigjen.”
Sub Sea Systems thotë se zhytjet me helmetë kanë një histori sigurie mbi 25-vjeçare dhe mbi tre milionë pjesëmarrës.
Të apasionuarit pas aventurës mund ta provojnë këtë aktivitet në disa vende, përfshirë parkun Xcaret në Cancun. Parku ofron një përzierje të një parku ujor, park zbavitës dhe tërheqjesh arkeologjike në natyrë.
Para se të nisin zhytjen, pjesëmarrësit ndjekin një trajnim të shkurtër, pastaj udhëhiqen drejt shtratit të detit, duke ndjekur një shteg të shënuar me shufra mbajtëse në fund.