Një ngjarje dramatike është regjistruar këtë fundjavë në plazhin Budleigh Salterton në Devon të Anglisë, ku një sasi gjigante shkëmbinjsh u shkëput papritur nga faqja e një kodre dhe ra me fuqinë e një shpërthimi në afërsi të pushuesve. Ngjarja ndodhi të shtunën dhe për pak sa nuk u kthye në tragjedi, teksa plazhi ishte i mbushur me njerëz që shijonin ditën me diell.
Pamjet filmike dhe fotot nga vendngjarja tregojnë momentin kur shkëmbinjtë, të cilët sipas dëshmitarëve mund të kenë qenë me peshë prej mijëra tonësh, bien me zhurmë të madhe dhe ngrejnë në ajër një re të dendur pluhuri të kuq që përfshin gjithë zonën. “Dëgjova dy shpërthime të fuqishme, sikur bubullima. Ishte e frikshme”, tha Hans-Petter Bjørnestad, turist nga Danimarka, që ndodhej në kopshtet Connaught, rreth 200-300 metra larg.
Rrëzimi masiv i shkëmbit krijoi panik në plazh, ku disa persona u izoluan në anën tjetër të shembjes. Në ndihmë të tyre u nis menjëherë anija e shpëtimit nga Sidmouth, e cila arriti të evakuonte në mënyrë të sigurt dy persona të bllokuar. Policia, roja bregdetare dhe shërbimet emergjente mbërritën me shpejtësi në vendngjarje për të kontrolluar nëse dikush kishte mbetur nën rrënoja.
“Fatmirësisht nuk ka raportime për të lënduar, por është mbyllur një pjesë e shtigjeve bregdetare për arsye sigurie”, tha një zëdhënës i rojës bregdetare të Exmouth, ndërsa Sidmouth Lifeboat paralajmëroi qytetarët që të mos i afrohen as bazës dhe as majës së shkëmbinjve në këtë zonë të paqëndrueshme.
Ky incident vjen gati një vit pas një tjetër shembjeje të madhe në plazhin Jacob’s Ladder në Sidmouth, ku një re gjigante pluhuri detyroi familjet e tmerruara të iknin me vrap në det për të shpëtuar.
Autoritetet kanë ngritur sërish tabela paralajmëruese dhe u bëjnë thirrje pushuesve të respektojnë udhëzimet dhe ndalimet, pasi ndryshimet klimatike dhe lagështia e lartë kanë shtuar ndjeshëm rrezikun e shembjeve në këtë segment bregdetar të njohur për bukuritë e tij natyrore, por gjithashtu edhe për rrezikun e lartë nga rrëshqitjet e dheut dhe shkëmbinjve.

