FLASH :

Moment muzike, hetim penal – Lokali në Ksamil kapet në shkelje, pronari nën hetim për zhurmë dhe evazion

Pronari i një lokali në Ksamil është vënë nën hetim në gjendje të lirë, pasi u kap nga policia duke thyer qetësinë publike me muzikë që tejkalonte normat e lejuara të zhurmës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e lokalit, uniformat blu zbuluan gjithashtu se 33-vjeçari kishte të punësuar disa persona pa kontratë pune dhe nuk lëshonte fatura tatimore, duke u bërë subjekt i hetimeve edhe për shkelje të ligjit të punës dhe të detyrimeve fiskale. Autoritetet kanë nisur procedurat ligjore për dokumentimin e plotë të shkeljeve.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, në Ksamil, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj.  

Ndaj këtij subjekti, me pronar shtetasin A. M., u vu masa administrative, bazuar në legjislacionin në fuqi. 

Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i regjistruar në organet kompetente, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.   

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Ksamil.  

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.   

Të vendosur për një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë!