Një incident i frikshëm ka ndodhur mëngjesin e së dielës në një fluturim të linjës easyJet nga aeroporti i Luton drejt Glasgow, kur një burrë 41-vjeçar u ngrit papritur nga sedilja dhe bërtiti se kishte një bombë në bord. Ngjarja alarmuese ndodhi rreth orës 07:00 dhe krijoi panik mes pasagjerëve, të cilët filmuan momentet dramatike dhe i publikuan në rrjete sociale. Pamjet janë tashmë në shqyrtim nga policia dhe autoritetet kundër terrorizmit në Britani.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, burri qëndronte pranë pjesës së pasme të avionit kur filloi të bërtiste me tone kërcënuese: “Ndalo avionin. Gjejeni bombën në bord. Vdekje Amerikës. Vdekje Trumpit”, ndërsa më pas përsëriti tri herë frazën “Allahu Akbar”. Reagimi i udhëtarëve ishte i menjëhershëm: një burrë nga rreshti 21 e sulmoi fizikisht dhe e rrëzoi në tokë, ndërsa të tjerë ndihmuan për ta mbajtur të shtrirë, duke e kontrolluar për sende të dyshimta në trup dhe në çantë.
Të shqetësuar për sigurinë, pasagjerët i kërkonin burrit të tregonte nëse kishte me vete një pajisje shpërthyese apo ishte nën ndikimin e alkoolit apo drogës. Në një moment, një grua shpërtheu në lot dhe u dëgjua duke folur me të dashurit në telefon. Situata mbeti e tensionuar deri në momentin kur avioni u ul në Glasgow rreth orës 08:20, ku u prit nga forcat e policisë.

Në video, policët dëgjohen duke i kërkuar burrit të qëndronte i qetë, teksa ai u arrestua dhe u shoqërua jashtë avionit, ndërsa pasagjerët i reaguan me zemërim dhe ironi. “Kërkon telefonin dhe portofolin? Është si skenar komedie,” dëgjohet një pasagjer duke thënë me ironi.
Zëdhënësi i easyJet konfirmoi incidentin dhe theksoi se ekuipazhi reagoi me profesionalizëm, duke garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe të avionit. “Siguria dhe mirëqenia e klientëve tanë është prioriteti ynë kryesor,” thuhet në deklaratë. Ndërkohë, Policia e Skocisë konfirmoi arrestimin e 41-vjeçarit dhe bëri të ditur se ai ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen dhe motivet e tij vijojnë. Autoritetet besojnë se incidenti ka qenë i izoluar dhe nuk ka persona të tjerë të përfshirë.