Moda e orëve 2025: Nga buzëkuqi në karficë, ora bëhet aksesori më “in” i vitit

Viti 2025 ka sjellë një revolucion të ri në botën e modës, dhe këtë herë vëmendja nuk është përqendruar te çantat apo këpucët, por te aksesorët – konkretisht te orët. Jo më thjesht një mjet për të treguar kohën, por një deklaratë stili dhe finesash, orët janë kthyer në elementin më “in” të garderobës moderne.

Shtëpitë më të njohura të modës kanë kapërcyer kufijtë e tradicionales për të sjellë modele të guximshme, funksionale dhe estetike. Në panairin prestigjioz “Orët dhe Mrekullitë” në Gjenevë, marka franceze Chanel prezantoi “Kiss Me”, një orë e fshehur brenda një kutie që ngjan me një buzëkuq të varur në një varëse elegante. Një bashkim mes elegancës dhe misterit, kjo orë vjen si një risi për t’u admiruar.

Një tjetër model i Chanel ishte ora e fshehur në një medaljon – një qasje e re ndaj konceptit klasik të varëses me orë, e cila tashmë po ndiqet nga shumë marka të tjera luksoze. Van Cleef & Arpels prezantoi versionin e ri të “Cadenas”, një orë në formë dryni, e zbukuruar me diamante, që kombinon sigurinë dhe delikatesën. Ndërkohë, Cartier, marka që identifikohet me simbolin e panterës, mahniti me orën minimaliste “Tank à Guichets”, e cila tregon orën dhe minutat në mënyrë digjitale, pa pasur nevojë për akrepa.

Nëse shumica e markave u fokusuan te byzylykët dhe varëset, Hermès vendosi të sfidojë normat përmes një zgjedhjeje po aq elegante sa dhe befasuese: karficat. Këto orë janë dizajnuar për t’u vendosur në pallto, xhaketa klasike apo këmisha – duke u bërë pjesë integrale e veshjes dhe jo thjesht një aksesor i veçuar.

Moda e vitit 2025 na kujton se koha nuk matet vetëm në minuta e sekonda, por edhe në stil. Dhe këtë vit, ora është kthyer në mbretëreshën e aksesorëve.