Një mjek gjerman ka dalë në gjyq në Berlin, i akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve me injeksione vdekjeprurëse, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si specialist i kujdesit paliativ. I identifikuar si Johannes M., 40 vjeç, ai dyshohet se ka vrarë 12 gra dhe 3 burra mes shtatorit 2021 dhe korrikut 2024, nën pretekstin e kujdesit mjekësor.
Sipas prokurorëve, ai i kishte organizuar vizitat me qëllim vrasjeje dhe në disa raste u kishte vënë flakën banesave të viktimave për të fshehur gjurmët. Pacientët ishin të moshës 25 deri në 94 vjeç. Një koleg ngriti alarmin pas numrit të lartë të vdekjeve në rrethana të dyshimta. Johannes M. u arrestua në gusht 2024 dhe tani përballet me 15 akuza për vrasje. Prokurorët kërkojnë burgim të përjetshëm dhe e kanë përshkruar atë si një person pa motiv tjetër përveç dëshirës për të vrarë. Rasti ka sjellë në kujtesë infermierin famëkeq Niels Hoegel, i dënuar për vrasjen e 85 pacientëve.







