Një formë misterioze portokalli e kapur nga kamerat e sigurisë jashtë qelisë së Jeffrey Epstein, vetëm pak orë para se ai të gjendej i vdekur, ka ngritur pyetje të reja tronditëse mbi rrethanat e vdekjes së tij – të cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje me varje.
Gati gjashtë vite pas ngjarjes, qeveria amerikane ka publikuar më në fund 11 orë pamje CCTV nga burgu Metropolitan Correctional Center në New York, ku financieri pedofil u gjet pa shenja jete më 10 gusht 2019. Por një objekt i paidentifikuar në ngjyrë portokalli, që shihet duke u ngjitur shkallëve rreth orës 22:40 pranë bllokut të qelive, po shkakton valë të reja dyshimi.
Ndërsa hetuesit federalë pretenduan fillimisht se bëhej fjalë për një roje burgu me çarçafë apo rroba të burgosurish, ekspertët forenzikë që analizuan pamjet për CBS News thanë se më shumë ka të ngjarë të jetë një person i veshur me uniformë portokalli – ndoshta një i burgosur tjetër.
Sipas Conor McCourt, një ekspert video dhe ish-sergent i NYPD: “Bazuar në pamjet e kufizuara, duket më shumë si një person me uniformë burgut, jo staf.”
Për më tepër, dy nga klipet video që pretendohet se janë “origjinale” rezultojnë të modifikuara me programe si Adobe Premiere Pro. Në një prej tyre, janë fshirë afro tre minuta në mënyrë të pashpjegueshme pak para mesnatës. Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se boshllëku ishte shkaktuar nga një “reset” i përnatshëm i sistemit – por metadata e skedarëve tregon se janë modifikuar në mënyrë të përsëritur më 23 maj 2025, gjë që rrëzon pretendimin për pamje “të paprekura”.
Kjo përplasje me videot vjen teksa Ghislaine Maxwell, shoqja dhe bashkëpunëtorja e Epstein, është marrë në pyetje për nëntë orë nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i SHBA mbi Princin Andrew dhe mbi 100 persona të tjerë të lidhur me rrjetin pedofil të Epstein. Për herë të parë, ajo ka folur zyrtarisht për emrat e meshkujve të përfshirë.
Ndërsa pyetjet mbi vdekjen e Epstein shtohen, misteri i njollës portokalli po kthehet në një tjetër pjesë të pazëllit të errët që ende nuk ka marrë përgjigje.
