Janë më të vegjël se një kokërr orizi, por këto grimca të vogla metali të ndryshkur mund të kenë zgjidhur një nga misteret më të vjetra në historinë amerikane: fatin e kolonisw së famshme të humbur të Roanoke.
Arkeologët që i zbuluan i quajnë këto grimca “hammerscale” – mbetje mikroskopike të farkëtimit të metaleve. Sipas tyre, ato tregojnë qartë se kolonët anglezë të zhdukur në fund të viteve 1500 nuk u vranë, nuk u zhdukën në det dhe as nuk u rrëmbyen – por u bashkuan me fisin mikpritës vendas Croatoan në ishullin Hatteras, në Karolinën e Veriut të sotme.
Prej vitit 1587, kur 118 kolonë anglezë arritën në Roanoke dhe më pas u zhdukën pa gjurmë, kanë qarkulluar teori të pafundme. Një nga të vetmet gjurmë që lanë pas ishte një fjalë e gdhendur në një trung: “CROATOAN”. Ajo sugjeronte se kishin lëvizur drejt ishullit fqinj për të bashkëjetuar me vendasit, por për shekuj me radhë kjo mbeti një mister i pakonfirmuar.
Tani, arkeologët Mark Horton dhe Scott Dawson besojnë se e kanë provuar përfundimisht këtë teori.

“Dëshmi e pakundërshtueshme”: Kolonët jetuan me fisin vendas
Duke gërmuar për më shumë se një dekadë pranë Buxton, në ishullin Hatteras, ata gjetën sasi të mëdha hammerscale, një mbetje që shfaqet vetëm kur përpunohet hekuri – një teknologji që vendasit nuk e zotëronin, por që ishte standarde për kolonët anglezë.
“Prania e hammerscale është provë e qartë se kolonët anglezë ndërtuan jetën e tyre me Croatoanët dhe u integruan në komunitetin vendas,” tha Horton për Daily Mail. “Kjo është prova që përfundimisht mbyll misterin e kolonisë së humbur.”
Zbulimet përfshijnë gjithashtu armë, një emblemë mbretërore me Trëndafilin e Tudorëve, një monedhë evropiane dhe mbetje të një farke hekuri – që sugjerojnë se vendbanimi ishte i qëndrueshëm, jo i përkohshëm.


Një kolonizim i dështuar që u bë legjendë
Kolonia e Roanoke u themelua nga guvernatori John White në vitin 1587 dhe përfshinte gra, burra dhe fëmijë, përfshirë edhe Virginia Dare – foshnja e parë angleze e lindur në Amerikë.
Pas lindjes së saj, White u kthye në Angli për furnizime, por u pengua për shkak të luftës me Armada-n Spanjolle. Kur u kthye në 1590, kolonia kishte humbur dhe ndërtesat ishin çmontuar me kujdes – jo djegur apo sulmuar.
Ai pa vetëm fjalën “CROATOAN” të gdhendur në një postë druri dhe tentoi t’i kërkonte në ishullin Hatteras, por një stuhi e pengoi dhe ai u detyrua të kthehej në Angli. Nuk i pa më kurrë kolonët.

Historia që u kthye në mit – dhe që Stephen King e përdori si frymëzim
Prej asaj kohe, kanë qarkulluar shumë teori: se kolonët u masakruan nga fise armiqësore, se vdiqën nga sëmundjet, se tentuan të lundronin drejt Anglisë dhe u fundosën, ose se u bënë skllevër të fiseve të tjera.
Misteri është bërë pjesë e romaneve, filmave dhe shfaqjeve, nga Presidenti Roosevelt që ndoqi në 1937 shfaqjen The Lost Colony, deri te serialet American Horror Story dhe Buffy the Vampire Slayer. Edhe Stephen King është frymëzuar prej saj.
Por Horton dhe Dawson thonë se realiteti është më njerëzor dhe më i besueshëm: kolonët u zhvendosën për të mbijetuar dhe u asimiluan.
Ata citojnë gjithashtu një eksplorues anglez të shekullit XVII, John Lawson, i cili shkruante se kishte takuar banorë vendas në Hatteras me sy të kaltër, që flisnin për paraardhës të bardhë dhe mbanin veshje angleze.

“Është fundi i misterit” – por miti do vazhdojë të jetojë
“Kolonia e humbur ishte thjesht një fushatë marketingu,” thotë Dawson, president i Croatoan Archaeological Society. “Tashmë kemi prova materiale që vërtetojnë atë që burimet historike thoshin qartë.”
Por edhe vetë Dawson e pranon: “Është shumë e vështirë të vrasësh një mit.”