FLASH :

Mirlinda e AKSHI-t rikthen në fshehtësi TikTok-un, sfidon hapur zotimet e Ramës

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Kaçanaj, duket se me një vendim të fshehtë dhe pa rënë në sy ka urdhëruar rikthimin e aksesit në TikTok, vetëm tre muaj pas bllokimit zyrtar të tij nga qeveria. Ky është një tjetër veprim që shton dosjen e gabimeve të saj të fundit, pasi prej javësh Kaçanaj është në qendër të kritikave për dështime të përsëritura dhe vendime të diskutueshme.

Qeveria kishte deklaruar me tone të ashpra se TikTok do të qëndronte i mbyllur për një vit, por që prej mëngjesit të sotëm, përdoruesit në të gjithë Shqipërinë raportojnë akses të plotë në platformë – pa pasur nevojë për VPN. Ende nuk ka një reagim nga institucionet, ndërsa mbetet e paqartë nëse rikthimi i TikTok-ut është bërë me ndonjë marrëveshje të re apo në mënyrë të njëanshme.

Kjo ndodh pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese e ka marrë në shqyrtim ligjshmërinë e vendimit për bllokimin e TikTok, duke refuzuar pezullimin e tij të menjëhershëm. Kryeministri Edi Rama e kishte quajtur aplikacionin “rrugaçi i lagjes” dhe kishte garantuar se ai nuk do të ishte i aksesueshëm në Shqipëri për një vit.

Sot, faktet flasin ndryshe: TikTok është sërish aktiv, ndërsa “rrugaçi i lagjes”, siç e cilësoi Rama, është rikthyer në heshtje të plotë nga institucionet që e ndaluan atë.