FLASH :

Mirlind Daku, futbollisti më i paguar i Kombëtares

Mirlind Daku është pranë zyrtarizimit si sulmuesi më i ri i Zenitit të Shën Petersburgut në Rusi. Shtatëlarti nga Gjilani pritet të përfitojë një pagë fillestare prej 3.5 milionë eurosh në sezon.

Itinerari “Kazan – Shën Petersburg” është përshkuar nga shumë futbollistë; Ryazantsev, Bukharov, Rondon, Azmun, Ozdoev, Semak e kështu me radhë. Lista do të zgjerohet shumë shpejt. Mediet ruse bëjnë me dije se Mirlind Daku është pranë transferimit te Zenit Shën Petersburg, klubit nën kampion të Rusisë.

Drejtori i Zenit, Alexander Medvedev dhe zyra e shtypit të Rubin Kazan konfirmuan negociatat, ndërsa nga Rusia kanë zbuluar edhe detajet. Operacioni nuk do të kushtojë më pak se 10 milionë euro, me Rubin Kazan që e bleu sulmuesin e kombëtares shqiptare para dy vitesh për 1.2 milionë euro nga kroatët e Osijek.

Merkaton e janarit 2025 pati zëra se për Dakun kishte interes nga Parma, Cagliari dhe Lokomotiva e Spartaku i Moskës. Me pagën aktuale 500 mijë euro në sezon, oferta e Zenit ishte e majme dhe Daku duket se u bind nga 3.5 milionët e eurove në sezon që pritet të fitojë në Shën Petersburg.

Kaq do jetë shuma që do fitojë Daku me ekipin e ri, kjo pa bonuse; duke u bërë lojtari i Kombëtares me pagën më të madhe, duke lënë pas edhe Hysajn apo Muçin e Brojën. Kontrata e dakordësuar mes Zenit dhe Dakut duket të jetë tre vjeçare, me mundësi rinovimi.