Nga Maksi Çami
Prej disa muajsh, për shkak të premtimit të madh zgjedhor, të gjithë flasin për Bashkimin Evropian. Hapje kapitujsh, rishikime kriteresh, reforma në letër dhe entuziazëm politik që ndizet sa herë ka samite. Por ndërkohë që bëjmë parada samitesh europiane, ekonomia shqiptare mbetet peng i modeleve të konsumuara: turizëm sezonal, remitanca të pakontrolluara dhe investime që nuk i kapin dot sektorët strategjikë. Nëse nuk ndryshon qasja e qeverisë në vitin 2025, atëherë rritja ekonomike në 2026 do të mbetet një iluzion statistikor rritje që ndjehet në PowerPoint-e, por jo në xhepin e qytetarit.
Është e vërtetë që turizmi është rritur. Aeroportet janë plot, resortet në jug s’kanë vende, TikTok-u na promovon si destinacion “exotic”. Por ekonomia nuk jeton me selfie dhe check-in. Turizmi në formën që po zhvillohet në Shqipëri është i përqendruar në pak muaj dhe sjell para që konsumohen shpejt, pa krijuar zinxhirë të qëndrueshëm prodhimi dhe pune. Turizmi duhet të jetë pjesë e modelit ekonomik, por jo modeli vetë. Kur një vend mbështetet te turizmi si burim kryesor, ai jeton me valixhet e të tjerëve. A do ta mbajë Rama ekonominë shqiptare peng të kësaj valixheje?
Për të pasur rritje reale të PBB-së, duhen investime por jo vetëm në beton e kulla. Duhet tërheqje e kapitalit në teknologji, në energji të pastër, në industri përpunuese dhe në bujqësi të modernizuar. Dhe investitori serioz nuk bindet me slogane, por me stabilitet, ligj, transparencë dhe eficiencë. Qeveria duhet të kuptojë se nuk mjafton të ftojmë kompani të huaja në forume, nëse më pas i presin burokracia, korrupsioni dhe mungesa e sigurisë ligjore. Deri kur të ndodhë kjo, PBB-ja do të varet nga ndërtime, jo nga prodhim.
Përditë dëgjojmë për mungesë fuqie punëtore. Por kur arsimi profesional është i shkëputur nga tregu dhe universitetet prodhojnë diploma pa aftësi, si mund të presim punonjës të kualifikuar? Qeveria duhet të mendojë për një strategji të vërtetë lidhjeje midis arsimit dhe ekonomisë. Jo me fushata, por me politika të matshme: programe duale, partneritete me sektorin privat dhe reformim rrënjësor të kurrikulave. Nëse jo, Shqipëria do të vazhdojë të rrisë të rinj për tregun e punës gjerman, jo për ardhmërinë e vet.
Bizneset e vogla dhe të mesme nuk janë “romantizëm ekonomik”, janë realiteti i punësimit dhe inovacionit në çdo vend të zhvilluar ndërsa në Shqipëri, ato trajtohen si “mundësi për subvencion”, jo si burim serioz zhvillimi. Ato përballen me shtet të shurdhët ndaj kërkesave të tyre dhe treg pa rregulla. Nëse qeveria nuk krijon një mekanizëm të dedikuar për mbështetjen reale të bizneseve qoftë përmes lehtësimit të taksave, fondeve të garancisë, qoftë përmes qendrave të inovacionit atëherë do të vazhdojmë të kemi ekonomi pa rrënjë.
Infrastruktura është për fatin e ekonomisë si sistemi nervor për trupin pa të, asgjë nuk funksionon sepse paralizohet. Nuk po flasim vetëm për rrugë të reja. Po flasim për rrjete energjie efikase, për qasje në internet të shpejtë, për logjistikë moderne që ndihmon eksportin, sidomos atë bujqësor. A ka qeveria një plan real për këtë? Apo do të vazhdojmë të lavdërohemi për rrugë që lidhin dy pika turistike, ndërkohë që fermerët mbeten pa treg dhe eksportuesit paguajnë më shumë për transportin se për prodhimin?
Nëse në vitin 2025 flasim vetëm për integrimin në BE dhe për sezonin turistik, në 2026 do të kemi një ekonomi të paqëndrueshme, të pambrojtur dhe të pabarabartë. PBB-ja nuk rritet me lajme të mira, por me politika të mira. Qeveria duhet ta shohë ekonominë si projekt kombëtar dhe jo si zgjatim të fushatës së radhës. Shqipëria ka potencial pyetja është: a ka vullnet qeveria për ta kthyer atë në zhvillim të prekshëm? Në fund të fundit, mirë është të hyjmë në BE. Por do të ishte edhe më mirë të hynim si një ekonomi që qëndron në këmbë vetë jo me lëmoshën e mbështetjes së integrimit.