Situatë kritike në Gramsh, ku zjarret masive kanë rrethuar fshatrat Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, duke detyruar autoritetet të japin urdhër evakuimi për banorët. Prej mëngjesit, zona po përballet me dy fronte të rrezikshme zjarri, ndërsa flakët kanë bllokuar totalisht qasjen e ambulancave dhe mjeteve zjarrfikëse.
Ministri i Brendshëm, së bashku me Drejtorin e Emergjencave Civile dhe katër helikopterë, është nisur drejt Gramshit për të ndjekur nga afër operacionin e shpëtimit. Në terren ndodhen 80 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e zjarrit. Për shkak të tymit të dendur, ndërhyrja tokësore është e pamundur në disa zona, duke pritur mbështetjen nga ajri.
Flakët kanë përfshirë edhe teqen e Shemberdhenjës, ndërsa babai i teqes raportohet i bllokuar brenda. Autoritetet paralajmërojnë se mund të evakuohet e gjithë njësia Skënderbegas nëse situata përkeqësohet. Deri tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për viktima, pasi hyrja në fshatra do të mundësohet vetëm pas qetësimit të situatës.