Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ndodhet në qendër të një skandali të rëndë pas akuzave për përdorim të Gardës së Republikës dhe makinës shtetërore jashtë orarit të punës për qëllime elektorale. Sipas denoncimit të aktivistit të shoqërisë civile, Rigels Xhemollari, Hoxha është parë duke zhvilluar aktivitet politik në njësinë nr. 1 në Tiranë, i shoqëruar nga efektivë të Gardës dhe me automjet shtetëror, ndërkohë që shpërndante fletushka me simbolet e Partisë Socialiste, përfshirë numrin 5 – simbol i kësaj fushate zgjedhore.
“Ministri po përdor mjetet dhe forcat e shtetit në shërbim të fushatës së tij si kandidat i PS-së. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit dhe një vepër penale që dënohet me burg,” – deklaroi Xhemollari, duke i bërë thirrje SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet.
Përdorimi i Gardës së Republikës, që sipas Kushtetutës ka për detyrë mbrojtjen e institucioneve dhe jo të partive politike, është një precedent i rrezikshëm që minon besimin te shteti dhe integriteti i zgjedhjeve. Por ironia më e madhe qëndron në faktin se tani, përballë këtij akti të pastër kriminal, pritet që të jetë drejtori i policisë – Ilir Proda – i njohur në media si “shefi i bandave”, ai që do të duhet të arrestojë eprorin e tij. Siç ka raportuar gazetarja Klodiana Lala, Proda është emëruar nga vetë strukturat kriminale dhe konsiderohet një figurë e lidhur me segmente të errëta të pushtetit, duke shtuar dyshimet për mosndëshkimin e këtij rasti.
Aktualisht, Ministria e Brendshme nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar, ndërkohë që presioni publik ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) po rritet për të ndërhyrë pa vonesë. “Dorëheqja e ministrit nuk duhet të jetë një opsion për diskutim, por një hap i menjëhershëm për të mos ndikuar në hetim. Ky krim zgjedhor duhet të bëhet shembull për çdo zyrtar që abuzon me detyrën,” – thekson më tej Xhemollari.
Nëse drejtësia mbyll sytë ndaj këtij rasti, pasojat do të jenë më të rënda se vetë akti – do të zhbëhet çdo besim i qytetarëve tek institucionet dhe rregullat e lojës së ndershme elektorale.
Më poshtë videot e publikuara nga Rigels Xhemollari në rrjetin social Facebook që dëshmon akuzën e rëndë në fjalë e ministrit Ervin Hoxha :