FLASH :

Milioneri i pasurive të paluajtshme ‘masakron’ pub-in 150-vjeçar, ndjeket penalisht për vandalizëm në Brighton

Një zhvillues milioner i pasurive të paluajtshme po përballet me ndjekje penale nga Këshilli Bashkiak i Brighton & Hove, pasi akuzohet për shkatërrimin e qëllimshëm të një pub-i viktorian 150-vjeçar.

Charlie Southall, 46 vjeç, bleu “Montreal Arms” – një godinë me status historik në Brighton – gjatë pandemisë, duke e përshkruar blerjen si një “kapriço”. Por pak pas marrjes së çelësave, ai nisi të shkatërronte mozaikun karakteristik me pllaka të glazuruara jeshile, një element i mbrojtur i ndërtesës së listuar lokal.

Banorët e zonës u shokuan kur panë punëtorët me çekiçë pneumatikë që shkulnin pllakat, duke e quajtur Southall një “vandal” dhe duke kërkuar ndërhyrjen e policisë. Këshilli ndërhyri menjëherë me një urdhër emergjent ndalimi, ndërsa deputetja Caroline Lucas iu bashkua thirrjeve për ndëshkim.

Në vitin 2023, autoritetet urdhëruan zhvilluesin të rivendoste pllakat historike, por pas disa ankimimeve dhe aplikimeve për leje ndërtimi, asnjë restaurim nuk është kryer. Tani, këshilli ka konfirmuar se ka depozituar një kërkesë zyrtare në gjykatë për ta ndjekur penalisht për moszbatim të urdhrit të zbatueshëm.

“Pronari nuk ka respektuar afatet për restaurimin e fasadës historike,” deklaroi Këshilltari Tim Rowkins. “Gjykata do të caktojë së shpejti datën e seancës së parë.”

Southall e kishte paraqitur pub-in si një hapësirë bashkëjetese falas për refugjatet nga Ukraina dhe kishte kërkuar 85,000 paund përmes një fushate ‘crowdfunding’, gjë që ngjalli dyshime mes banorëve se pas këtij gjesti fshihej një qëllim për të ndryshuar përdorimin e pronës.

Në një përplasje publike me komunitetin, ai këmbënguli se ndryshimet në pamjen e jashtme ishin “plotësisht të ligjshme” pasi prona ishte private. Megjithatë, eksperti lokal Harry Magee theksoi se pllakat jeshile me reflektime shumëngjyrëshe – të njohura si “green faize tiles” – janë të rralla dhe të punuara me dorë me bojëra plumbi.

Pas skandalit dhe urdhrit të paplotësuar, Southall ka nxjerrë pub-in në shitje me çmimin fillestar prej 425,000 paund. Por në dokumentet financiare të kompanisë së tij, vlera e pronës është ulur në 150,000 paund.

Këshilli bën të ditur se nëse prona shitet, përgjegjësia për restaurimin do t’i kalojë pronarit të ri, i cili rrezikon ndjekje penale nëse nuk i përmbush detyrimet ligjore.