Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës. Lame ndërroi jetë në Mynih të Gjermanisë pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër. Këtë lajm e konfirmoi ditën e sotme miku i tij i ngushtë, z. Artan Shkreli.
Kjo zhvillim tragjik vjen pas një ngjarjeje të pazakontë dhe shqetësuese që ndodhi një ditë më parë, kur një lajm i rremë për vdekjen e Artan Lames u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe mediat online, duke nxitur reagime të menjëhershme dhe të përzemërta nga politikanë, figura publike dhe qytetarë të shumtë. Në atë kohë, sipas burimeve pranë familjes, ai ndodhej ende në gjendje kome cerebrale.
Pavarësisht mungesës së konfirmimeve zyrtare, reagimet publike ishin të menjëhershme: Kryeministri Edi Rama, ministra dhe deputetë të shumtë, si dhe figura të njohura të medias dhe kulturës shqiptare, e përcollën me dhimbje të thellë, duke dhënë mesazhe ngushëllimi. Fatkeqësisht, lajmi rezultoi i pavërtetë në atë moment, duke nxitur jo vetëm trishtim, por edhe një debat të madh mbi etikën e komunikimit publik dhe përhapjen e lajmeve të pakonfirmuara.
Sot, pasditja solli konfirmimin e hidhur: Artan Lame nuk ia doli dot të mbijetonte. Humbja e tij përbën një plagë të rëndë për ata që e njohën nga afër si historian, qytetar i angazhuar, dhe shërbëtor i përkushtuar i shtetit.
Lajmin e hidhur e konfirmoi edhe nëna e tij përmes një njoftimi në rrjetet sociale:
“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirës.Nuk më bën dora të shkruaj për humbjen e të shtrenjtit, djalit tim të dashur Artan Lame . Po ky moment i mallkuar erdhi dhe më shoi atë shpresë që mu ngjall dje. Shpresoja sepse më premtoi që do kthehej,“ ….-nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej) jam mirë , jam i qetë por po përqendrohem te Muzeu.” Edhe nga gjumi ta zgjoje për Muzeun fliste.Kur Tanin të ma sjellin këtu do t’ju bëjmë të ditur procedurat e mëtejeshme”shkruan Diana Lame.







