Eardhmja duket premtuese – dhe ndoshta më pak stresuese – për punonjësit e së nesërmes. Sipas një parashikimi të ri nga Microsoft, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale (AI) do të sjellë një transformim të thellë në mënyrën si punojmë: në vend që të jemi thjesht ekzekutues detyrash, do të bëhemi menaxherë të agjentëve virtualë.
Gjiganti i teknologjisë parashikon krijimin e një forme të re organizimi biznesi, të quajtur “kompani të kufirit” (frontier firms), ku punonjësit njerëzorë do të punojnë krah për krah me agjentë të inteligjencës artificiale.
Këta agjentë do të jenë në gjendje të kryejnë detyra në mënyrë autonome, ndërsa njerëzit do të fokusohen në udhëheqje, strategji dhe mbikëqyrje.
“Me shtimin e agjentëve në fuqinë punëtore, do të shohim lindjen e ‘shefit të agjentëve’ – një individ që delegon, mbështet dhe menaxhon agjentët për të maksimizuar ndikimin e tyre” – u shpreh Jerard Spataro, një nga drejtuesit e Microsoft.
Sipas tij, çdo punonjës, në çdo nivel të kompanisë, do të mendojë si një CEO i një startup-i, duke udhëhequr ekipe virtuale përmes inteligjencës artificiale.
Microsoft – një nga investitorët kryesorë të OpenAI, kompanisë që krijoi ChatGPT – parashikon që brenda pesë viteve çdo organizatë do të kthehet në një kompani të organizuar rreth “inteligjencës sipas kërkesës”.
Transformimi pritet të ndodhë në tre faza:
1. Çdo punonjës do të ketë një asistent virtual personal.
2. Agjentët e AI do të integrohen si “kolegë digjitalë” në ekipe të ndryshme.
3. Njerëzit do të japin udhëzime dhe objektiva, ndërsa agjentët do t’i realizojnë detyrat në mënyrë autonome.
Për shembull, në sektorin e logjistikës, agjentët e AI do të merren me menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, ndërsa njerëzit do të udhëheqin strategjinë dhe do të ruajnë marrëdhëniet me partnerët.
Në këtë epokë të re, duket se roli ynë nuk do të zëvendësohet nga teknologjia, por do të transformohet – duke na bërë të gjithë “shefa të digjitalizuar”.