Microsoft ka bërë të ditur se do të mbyllë përfundimisht platformën e njohur të komunikimit Skype pas 21 vitesh funksionimi. Kompania teknologjike, e cila bleu Skype në vitin 2011, njoftoi se përdoruesit nuk do të kenë më akses në llogaritë e tyre pas datës 5 maj 2025 dhe i ka inkurajuar ata që të kalojnë sa më shpejt në aplikacionin Teams.
Skype, dikur një nga platformat më të njohura për mesazhe dhe sidomos për komunikimin me video, kishte regjistruar 1.95 miliardë llogari. Megjithatë, numri i përdoruesve aktivë ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Sipas Microsoft, në vitin 2024, Skype kishte 27.8 milionë përdorues aktivë, një rënie e konsiderueshme nga 40 milionë në vitin 2020. Nga ana tjetër, Teams, i cili u lançua në vitin 2017, u bë një konkurrent kryesor i Skype, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19, kur platformat si Zoom dhe Teams fituan popullaritet të madh.
Microsoft ka theksuar se Teams do të plotësojë nevojat e përdoruesve të Skype për telefonata, mesazhe dhe ndarjen e dokumenteve, duke ofruar funksionalitete të ngjashme me ato të Skype. Përdoruesit do të mund të kalojnë në Teams duke përdorur llogaritë e tyre të Skype dhe kanë mundësinë të eksportojnë të dhënat e tyre deri më 5 maj 2025.
Për shkak të rënies së përdoruesve dhe rritjes së popullaritetit të Teams, Microsoft ka vendosur të përqendrohet plotësisht në zhvillimin e kësaj platforme. Jeff Teper, president i aplikacioneve dhe platformave të bashkëpunimit të Microsoft 365, tha se kalimi në Teams do të mundësojë inovacione më të shpejta dhe një përvojë më të thjeshtë për përdoruesit.
Skype pati një ndikim të madh në dekadën e tij të parë, duke u lejuar përdoruesve të komunikonin falas pa paguar kompanitë e telefonisë. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe zhvillimin e pajisjeve mobile, platforma humbi terren përballë aplikacioneve më të reja si Teams dhe Zoom, duke çuar në vendimin përfundimtar të Microsoft për ta mbyllur atë.