FLASH :

Michael Gove: Nxënësit nuk kanë nevojë për më shumë “aftësi digjitale”, por për një arsim tradicional që t’i mbrojë nga mashtrimi i AI-së

Ish-sekretari britanik i Arsimit, Michael Gove, ka dhënë një mesazh të fortë në një konferencë arsimore: shkollat duhet të ndalen së promovuari “aftësi digjitale” dhe t’u kthehen themeleve të arsimit tradicional për të përgatitur nxënësit ndaj sfidave të inteligjencës artificiale.

Duke folur përpara mësuesve dhe nxënësve në shkollën Downe House, ku dikur ka studiuar edhe Princesha e Uellsit, Gove deklaroi se “ka shpërthyer një epidemi mashtrimi në arsim”, të nxitur nga mjetet si ChatGPT, dhe se “testi më i sigurt i aftësive të vërteta është eseja me dorë, me laps dhe letër”.

“AI ka krijuar një potencial të madh për korrupsion. Po rriten rastet kur njerëzit hiqen si të ditur, pa i zotëruar realisht ato njohuri. Vetëm përmes arsimit tradicional mund të tregosh se çfarë di vërtet.”

Gove, i cili sot mban titullin Lord dhe është gjithashtu redaktor i The Spectator, tha se fëmijët e sotëm tashmë janë “nativë digjitalë” dhe nuk kanë nevojë për shkollë që t’u mësojë teknologjinë që ata e zotërojnë “shumë më tepër nga sa duhet”.

“Më mirë të jetosh në botën e Pitagorës sesa në atë të Pokémon.”

AI po dëmton ndershmërinë akademike

Sipas tij, përdorimi në rritje i AI në arsimin e lartë po çon në një rënie të përmbajtjes së mirëfilltë dhe përgatitjes intelektuale.

“Shumë punë të dorëzuara sot në universitete nuk janë më produkt i kërkimit apo analizës, por të shkarkuara ose gjeneruara nga AI. Kjo është një kthim prapa për arsimin.”

Ai kritikoi përdorimin e platformave digjitale për provime dhe detyra, duke theksuar se “ato vetëm sa e bëjnë më të lehtë mashtrimin”. Për këtë arsye, Gove kërkon rikthimin e provimeve me shkrim dhe intervistave orale si formë vlerësimi më e ndershme dhe më efektive.

“Në një det me informacione të rreme, duhet të dish më shumë, jo më pak”

Gove kundërshtoi fort idenë progresiste se “për shkak se gjithçka është online, nuk ka nevojë të dish aq sa më parë”.

“E kundërta është e vërtetë. Sepse ka kaq shumë informacion atje jashtë, duhet të dish më shumë për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi.”

Sipas tij, “një mendje e pasur me dije” është mbrojtja më e mirë për të lundruar në “pyllin e informacionit” që ofron epoka digjitale.