Meta Platforms ka refuzuar të firmosë kodin e praktikës për inteligjencën artificiale të Bashkimit Evropian, duke e kritikuar si një tejkalim rregullator që mund të pengojë inovacionin dhe rritjen.
Shefi i çështjeve globale të Metës, Joel Kaplan, shkroi në një postim në LinkedIn se “Evropa po ndjek rrugën e gabuar për AI“, dhe shtoi se kodi krijon pasiguri ligjore për zhvilluesit dhe përmban masa që tejkalojnë përmbajtjen e Aktit për AI.

Komisioni Evropian publikoi versionin përfundimtar të kodit javën e kaluar. Ai është vullnetar, por synon të ndihmojë kompanitë të përputhen me Aktin për AI që hyn në fuqi muajin tjetër. Ky akt synon të rrisë transparencën dhe sigurinë në teknologjitë e inteligjencës artificiale.
Meta nuk është e vetmja që ka shprehur kundërshtime. Kompani të mëdha evropiane si ASML Holding dhe Airbus kanë firmosur një letër ku i bëjnë thirrje BE-së të shtyjë zbatimin e kodit për dy vjet. Ndërkohë, OpenAI ka deklaruar se do ta firmosë kodin.
Kaplan theksoi se rregullat mund të “ngadalësojnë zhvillimin dhe zbatimin e modeleve të avancuara të AI në Evropë” dhe të pengojnë aftësinë e kompanive evropiane për inovacion. Ai zëvendësoi këtë vit Nick Clegg në rolin e shefit të çështjeve globale, pasi më parë kishte qenë zëvendëspresident për politikat amerikane në Meta dhe ish-staf i administratës së Presidentit George W. Bush.