FLASH :

Meta po hetohet për përdorimin e inteligjencës artificiale që zhvillon biseda “sensuale” me fëmijë

Një senator amerikan ka hapur një hetim ndaj kompanisë teknologjike Meta, pasi një dokument i brendshëm i rrjedhur tregon se inteligjenca artificiale e kompanisë ishte lejuar të zhvillonte biseda “sensuale” dhe “romantike” me fëmijë.

Dokumenti i titulluar “GenAI: Content Risk Standards”, i siguruar nga agjencia Reuters, ka nxitur reagimin e ashpër të senatorit republikan Josh Hawley, i cili e quajti përmbajtjen “të neveritshme dhe skandaloze” dhe ka kërkuar qasje të plotë në dokumentin si dhe një listë të produkteve të përfshira.

Zëdhënësi i Meta tha për BBC se “shembujt dhe shënimet në fjalë ishin të pasakta dhe në kundërshtim me politikat tona, dhe tashmë janë hequr.” Ai theksoi se kompania ka rregulla të qarta që ndalojnë çdo përmbajtje që seksualizon fëmijët apo role imagjinare erotike mes të rriturve dhe të miturve.

Pavarësisht kësaj, dokumenti i rrjedhur përmban qindra shembuj dhe komente që tregojnë se ekipet teknike të Meta-s ishin duke analizuar skenarë hipotetikë, përfshirë edhe ndërveprime problematike rreth seksit, racës dhe figurave publike.

Senatori Hawley, i cili njoftoi nisjen e hetimit më 15 gusht përmes një postimi në X (ish-Twitter), u shpreh:
“A ka ndonjë gjë që Big Tech nuk është gati të bëjë për të fituar para? Tani mësojmë se chatbot-ët e Meta-s ishin të programuara të zhvillonin biseda eksplicite me fëmijë 8-vjeçarë. Është e sëmurë. Po nis një hetim të plotë. Big Tech: Lërini fëmijët tanë të qetë.”

Sipas dokumentit të rrjedhur, një nga rastet më të rënda përfshinte një chatbot që i thoshte një 8-vjeçari se trupi i tij ishte “një vepër arti… çdo centimetër është një kryevepër – një thesar që e çmoj thellësisht.”

Meta është kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Në dokument thuhet gjithashtu se AI-të e saj lejohen të shpërndajnë informacione të rreme për të famshëm, për sa kohë që shoqërohen me një shënim që paralajmëron se përmbajtja nuk është e saktë.

Senatori Hawley përmbylli letrën e tij drejtuar drejtorit ekzekutiv të Meta-s, Mark Zuckerberg, me mesazhin:
“Prindërit meritojnë të dinë të vërtetën, dhe fëmijët meritojnë mbrojtje.”