FLASH :

Meta përshëndet mbylljen e hetimeve, fajëson “diktatin politik”

Pas gati 6 vitesh zhurmë dhe tym mediatik, hetim-fabrikimet e nisura në dhjetor 2019 ndaj Ilir Metës kanë arritur më në fund një pikë… mbylljeje! Jo me bujë, por me një deklaratë ku Meta përshëndet mbylljen zyrtare të çështjes, teksa shigjeton me të njohurin e tij stil akuzash të ambalazhuara si thirrje për transparencë.

Sipas tij, takimi i fundit me prokurorët e SPAK-ut më 27 maj nuk solli asnjë risi. Ndoshta sepse gjithçka ishte thënë dhe stërthënë, përfshirë kërkesën e fortë (dhe zyrtare, siç e thekson ai) për të hetuar “me përgjegjësi” dy gjëra:

  1. Kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA.
  2. Kujt i dërgonte faturat për miratim kompania amerikane GSIS në Partinë e Lirisë.

Por, sipas Metës, këto nuk janë pyetje pa përgjigje, por hetime të ndaluara nga një “diktat politik”. Ironikisht, pikërisht njeriu që ka qenë në krye të partive që pretendojnë liri dhe transparencë, akuzon për mungesë vullneti institucional – ndërsa vetë ka firmosur fatura, marrëdhënie lobimi e udhëtime që i kanë shtuar shumë zero fundin të shifrave

Dhe teksa SPAK qëndron stoik ndaj “këmbënguljes” së Metës për të zbardhur të vërtetat që ai vetë i njeh, publiku shqiptar mbase ka nisur të mësohet me fabulën: kushdo që hetohet është viktimë politike, kushdo që shpëton është i pafajshëm. Tani që dosja është mbyllur, mbetet të shohim nëse Partia e Lirisë do të paguajë ndonjë faturë, qoftë edhe morale për të gjitha skenat e teatrit të drejtësisë që ka ofruar ndër vite.