Kapiteni i Argjentinës dhe Inter Miamit, Lionel Messi, ka rrëfyer një nga momentet më delikate të karrierës së tij, duke konfirmuar se kishte një mundësi reale për të përfaqësuar Spanjën, por zgjodhi të mbetej besnik i vendlindjes.
Në një intervistë të gjatë në podcastin “Miro de Atras”, ylli argjentinas tregoi se gjatë viteve të para te Barcelona, Federata Spanjolle bëri përpjekje konkrete për ta bindur të vishte fanellën iberike.
Messi ishte transferuar nga Rosario në moshën 13-vjeçare dhe u formua si futbollist në akademinë e klubit katalanas, ku ndërtoi jo vetëm karrierën, por edhe jetën e tij.
Ish-trajneri legjendar i Spanjës, Vicente del Bosque, që fitoi Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012, kishte pranuar më herët se ishte bërë gjithçka për ta pasur në skuadër talentin e jashtëzakonshëm.
“Në një moment të caktuar erdhi diçka nga Spanja. Unë tashmë luaja për Barcelonën dhe ata e kishin lënë të kuptohej. Është normale, u ndodhte shumë të rinjve në atë kohë. Edhe pse u rrita atje, dëshira ime ka qenë gjithmonë Argjentina”, u shpreh Messi.









