FLASH :

Merrni një jetë!” – Atleta transgjinore fiton sërish në kampionatin e vajzave, por përballet me protesta dhe fishkëllima

Veronica Garcia, një atlete transgjinore 17-vjeçare nga East Valley, Spokane, është vënë sërish në qendër të debatit publik pasi fitoi garën 400 metra në kampionatin shtetëror për vajza në Uashington, me një diferencë gati një sekonde nga vendi i dytë. Përveç kësaj, ajo ndihmoi edhe ekipin e shkollës së saj të fitonte stafetën 4×100 metra.

Por pavarësisht suksesit sportiv, Garcia u përball me një atmosferë të tensionuar. Sipas Seattle Times, të gjithë sportistet e tjera u pritën me duartrokitje në podium, përveç saj që u përball me fishkëllima dhe thirrje kundërshtuese nga publiku. Një burrë i veshur me një bluzë ku shkruhej “Shpëtoni sportet e vajzave” bëri thirrje gjatë nxemjes: “Le të nisim garën e vajzave!”

E revoltuar, por e qetë, Garcia reagoi: “Ishte e pritshme… por më bëri edhe më të vendosur. Më zemëroi, jo për të hequr dorë, por për të shtyrë më shumë. Është një turp i madh që disa njerëz nuk kanë gjë më të mirë për të bërë. Shpresoj të marrin një jetë.”

Në vend të dytë në garën 400 metra doli Lauren Matthew, e cila mbajti një pankartë të shkruar me dorë ku e quante veten “kampionja e vërtetë”. Në një akt tjetër proteste, disa atlete nga një shkollë rivale u paraqitën me bluza të zeza ku shkruhej “Mbajeni sportin e vajzave femëror”.

Në shtetin e Uashingtonit, rregullorja lejon nxënësit të garojnë sipas identitetit të tyre gjinor, një politikë që ka ngjallur polemika në nivel kombëtar, veçanërisht pas urdhrit ekzekutiv të Donald Trump të titulluar “Të largojmë meshkujt nga sportet e femrave”.

Kjo nuk është e vetmja ngjarje që ka ndezur debat: në Oregon, dy atlete refuzuan të ngjiten në podium përkrah një garueseje transgjinore, ndërsa në Kaliforni, një protestues pro-trans u arrestua pasi goditi një demonstrues me një flamur të “Pride”.

Debati mbi përfshirjen e sportistëve transgjinorë në garat e vajzave duket se do të vijojë të jetë një nga çështjet më të ndjeshme të sportit amerikan.