FLASH :

Medvedev ironizon liderët europianë për “përdhosjen” ndaj Trumpit, teksa SHBA-ja përgatit samit historik paqeje me Putinin dhe Zelenskyn

Një përplasje ironike dhe një betejë diplomatike me përmasa globale po zhvillohet mes Rusisë, SHBA-së dhe Europës, ndërsa në sfond është e ardhmja e luftës në Ukrainë. Dmitry Medvedev, një prej aleatëve më të afërt të Vladimir Putinit, ka tallur ashpër liderët europianë për sjelljen e tyre ndaj Donald Trump gjatë samitit të javës së kaluar në Uashington, duke i akuzuar se “u përdhosën” para tij dhe dështuan “ta mundin në territorin e vet”.

Medvedev, ish-president dhe kryeministër i Rusisë, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, shkroi në rrjetin X: “Koalicioni anti-rus i të gatshmëve nuk arriti ta mposhtë [Trumpin] në terrenin e tij. Europa e falënderoi dhe u përkul para tij.” Ai nuk i kurseu sulmet as ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilin e quajti “kllouni i Kievit” dhe ironizoi faktin që kishte veshur një kostum të zi elegant në vend të uniformës ushtarake gjatë takimit të tij të parë me Trump pas një përplasjeje të ashpër në shkurt.

Takimi në Zyrën Ovale u zhvillua në një atmosferë miqësore, me shkëmbim komplimentesh për pamjen e Zelenskyt, dhe përfundoi me sinjale të qarta për një samit historik paqeje. Trump deklaroi publikisht se Vladimir Putini kishte pranuar të merrte pjesë në bisedime brenda dy javësh, ndërsa Zelensky u shpreh se është i gatshëm për një takim “trilateral”. Edhe pse Macron, Meloni dhe Starmer morën pjesë në takimet e nivelit të lartë, në sfond mbizotëroi skepticizmi për sinqeritetin e Putinit, sidomos pas sulmit rus me 270 dronë dhe 10 raketa brenda natës që pasoi takimet.

Kremlini, ndërkohë, e cilësoi telefonatën 40-minutëshe midis Trump dhe Putinit si “vetëm pjesërisht konstruktive”, ndërsa burime nga SHBA pohojnë se presidenti amerikan i kishte paraqitur Putinit një hartë të frontit në Ukrainë dhe mundësinë për shkëmbime territoriale në këmbim të sigurisë së garantuar për Kievin. Ndërsa Europa ruan skepticizmin, Trump po synon të ndërmjetësojë një marrëveshje që do të linte gjurmë në mandatin e tij. Ai theksoi: “Nëse gjithçka shkon mirë, mund të kemi një samit me Zelenskyn dhe Putinin dhe një shans real për t’i dhënë fund luftës.”