FLASH :

“Më tradhtonte!” – Burgim i përjetshëm për shqiptarin që vrau gruan me thikë në Greqi

Një 44-vjeçar shqiptar është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë greke për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij 31-vjeçare, ndodhur më 30 korrik 2021 në zonën Dafni të Athinës. Viktima, Anisa, u godit me thikë dy herë në qafë, ndërsa flinte në shtrat, sipas ekspertizës mjekoligjore. Autori përdori një thikë kuzhine 28 cm të gjatë dhe pas krimit u vetëdorëzua në polici.

Gjatë gjyqit, shqiptari tentoi të justifikonte vrasjen me pretendime për një lidhje jashtëmartesore të viktimës, duke dorëzuar një USB me regjistrime zanore që, sipas tij, e kishin “çmendur”. Megjithatë, asnjë provë për tradhti nuk u vërtetua, ndërsa Gjykata refuzoi çdo pretendim për lehtësim, duke theksuar se autori kishte vepruar me vetëdije të plotë dhe paramendim. Avokati i familjes së viktimës e përshëndeti vendimin si “një akt të drejtë të drejtësisë greke” që dërgon një mesazh të fortë kundër dhunës ndaj grave.