FLASH :

“Më thonë se rruga e vetme për të dalë është të vdes”: Kanadezi i paralizuar që prej 9 vitesh në spital akuzon stafin se e shtyjnë drejt vetëvrasjes

Në Kanada, një 49-vjeçar me aftësi të kufizuara ka jetuar për nëntë vite i bllokuar në një dhomë spitali, ndërsa stafi, sipas tij, e nxit vazhdimisht të zgjedhë vdekjen përmes eutanazisë.

Roger Foley, i shtruar që prej vitit 2016 në London Health Sciences Centre në Ontario, vuan nga një sëmundje e pashërueshme e trurit që e bën të paaftë për të lëvizur pa ndihmë. Por sipas dëshmisë së tij për Daily Mail, më e keqja nuk është sëmundja, por presioni psikologjik që i bëhet për të zgjedhur vdekjen.

Ndriçimi që e torturon dhe ushqimi që mungon
Muajin e kaluar, stafi i spitalit ia zëvendësoi ndriçimin e butë të dhomës me drita të forta, që për shkak të ndjeshmërisë së syve e lënë në dhimbje dhe e bëjnë të pamundur ngritjen për të ngrënë. Që prej 6 majit, Foley ushqehet vetëm me serum, ndërsa venat e tij po dëmtohen rëndë. Ai paralajmëron se është në rrezik për atak kardiak, mpiksje gjaku apo infeksione të rënda.

“Ata e dinë që trupi im nuk do të përballojë gjatë mungesën e ushqimit, ujit dhe ilaçeve,” thotë ai.
“Do ishin më se të kënaqur nëse do vdisja nga një atak kardiak.”

“E vetmja zgjidhje që më ofrojnë është vdekja”
Foley thotë se infermierët i përmendin shpesh eutanazinë si “rrugëdalje” nga situata, duke i bërë pyetje si: “Je ndjerë ndonjëherë suicidal?” — një hyrje për ta orientuar drejt MAiD (Medical Assistance in Dying), programi kanadez për ndihmë mjekësore në vetëvrasje.

“Ata hedhin karremin dhe presin që unë të reagoj. Por i ndërpres menjëherë. E di ku çon kjo,” rrëfen ai.

Një jetë që shkatërrohet dhe një betejë për dinjitet
Roger Foley dikur ishte drejtor në sektorin e tregtisë elektronike në Royal Bank of Canada, por pas përkeqësimit të sëmundjes së trurit, përfundoi në spital pas keqtrajtimesh nga kujdestarët në shtëpi. Ai është përpjekur të rikthehet në apartamentin e tij në Highbury, ku ka dushe dhe palestër të përshtatur, por kërkesa e tij për kujdes të vetë-drejtuar është refuzuar nga autoritetet.

“Dua të kthehem në shtëpi, të kompozoj muzikë, të ndihmoj në organizata për të drejtat e të paaftëve. Ky është dritarja ime e shpresës.”

Ai ka nisur një betejë ligjore 20-milionë dollarëshe ndaj spitalit dhe autoriteteve shëndetësore, duke i akuzuar se e kanë detyruar psikologjikisht drejt MAiD dhe kanë refuzuar kujdesin që ai ka të drejtë të marrë. Padia u hodh poshtë në janar të këtij viti.

Ndërkohë, një fushatë online për mbështetje ligjore ka mbledhur afro 3,000 dollarë.

MAiD: Eutanazia që trazon ndërgjegjen e Kanadasë
Që prej legalizimit të MAiD në vitin 2016, mbi 75,500 njerëz kanë zgjedhur të vdesin përmes këtij programi. Vetëm në vitin 2023, 15,300 raste janë regjistruar – që përbëjnë 4.7% të të gjitha vdekjeve në vend.

Sipas kritikëve, ligji nuk ka garanci të mjaftueshme për të mbrojtur personat vulnerabël, si të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, nga presioni për të zgjedhur vdekjen.

Grupi Dying With Dignity mbron programin si një akt dhembshurie dhe vetëvendosjeje. Por raste si ai i Foley ngrejnë pyetje të forta mbi etikën, barazinë dhe trajtimin e jetës njerëzore.

“Unë do kryej dënimin tim në këtë shtrat spitali, por ata një ditë do më kenë në ndërgjegje,” thotë Roger Foley.