FLASH :

Me stil veror dhe i anuar djathtas, Berisha paraqet forcat në SPAK

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”. I veshur me një bluzë të bardhë me mëngë të shkurtra, dhe me ecjen e tij tipike tashmë të anuar paksa djathtas, si një shenjë “solidarizimi” i bindjes së tij politike, Berisha u shfaq me stil veror dhe i shoqëruar nga mbështetës që e pritën jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme me brohorima dhe duartrokitje.

Pas daljes nga SPAK, ish-kryeministri nuk kurseu akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, të cilin e ka shënjestruar vazhdimisht në deklaratat e tij publike. Sot, përkon edhe me zhvillimin e seancës gjyqësore në GJKKO për çështjen “Partizani”, e cila ishte shtyrë disa javë më parë.
I pyetur nëse do të merrte pjesë në seancën gjyqësore, Berisha u përgjigj se do të veprojë sipas këshillave të avokatëve dhe në varësi të zhvillimeve gjyqësore. “Paraqitja apo mosparaqitja ime përcaktohet nga avokatët, sipas zhvillimeve. Nuk kam kundërshti për ndonjë gjyqtar konkret, përveç ndonjë që është në apel, ai famozi i njohur tani,” tha Berisha, duke shtuar se kundërshtitë e tij lidhen me parime themelore si pavarësia e gjyqtarit dhe jo me individët.
Ndërkohë që seancat gjyqësore vijojnë, Berisha e mban linjën e konfrontimit politik dhe institucional me SPAK, duke mos lëshuar terren as në sallë, as jashtë saj.